Autoritetet ukrainase apel banorëve: Largohuni nga Donetsku

Autoritetet ukrainase apel banorëve: Largohuni nga Donetsku

Zyrtarët ukrainas u thanë banorëve të mbetur në provincën lindore të Donetskut të largoheshin në zona më të sigurta pasi Rusia nisi sulme të reja në një përpjekje për të marrë kontrollin e plotë të rajonit të industrializuar të Donbasit.

“Rusia e ka kthyer të gjithë rajonin e Donetskut në një qendër të luftimeve, ku qëndrimi i civilëve është i rrezikshëm”, tha administratori ushtarak rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko për mediat ukrainase. “U bëj thirrje të gjithëve që të evakuohen”, tha ai. “Evakuimi shpëton jetë”, shtoi ai.

Rusia tashmë kontrollon 55% të provincës së Donetskut pasi tha se ditët e fundit kishte marrë nën kontroll plotësisht provincën fqinje të Luhanskut. Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se një nga qëllimet kryesore të sulmit ndaj Ukrainës është kontrolli i plotë i sektorit të saj lindor, rajonit kryesisht rusisht-folës të Donbasit që përfshin dy provincat. Rusia e filloi sulmin e saj ndaj Ukrainës para rreth katër muajve.

Disa ukrainas po u rezistojnë thirrjeve për t’u larguar nga Donetsku, por zoti Kyrylenko tha se vetëm rreth 340,000 njerëz vazhdojnë të qëndrojnë atje nga gati 1.7 milion banorë që ky rajon i kishte para fillimit të luftës.

Vetëm rreth 23,000 njerëz janë ende në Sloviansk, një nga objektivat më të fundit të bombardimeve ruse, nga një popullsi prej rreth 107,000 banorësh që kishte para luftës, tha kryebashkiaku këtij qyteti, Vadim Lyakh. Sulmet e shtuara ruse kanë rritur ritmin e evakuimeve.

Zyrtarët ukrainas të hekurudhave thanë se do të shtojnë numrin e trenave për të lehtësuar evakuimet.

Zyrtarët ukrainas thanë se nga sulmet ruse në 24 orët e fundit u vranë të paktën 8 civilë dhe u plagosën 25 të tjerë, ndërsa separatistët pro-rusë thanë se sulmet nga forcat ukrainase kanë shkaktuara vrasjen e katër civilëve. Ukraina tha se shumica e viktimave në radhët e saj ishin si rezultat i sulmeve ruse në Donetsk.

Shpërndaje në: