Avdullah Hoti kandidat për kryeministër? Ja çka thonë brenda LDK-së
Ka disa ditë që emri i kandidatit të LDK-së për kryeministër në garën zgjedhore të 11 qershorit po komentohet nga mediat.
LDK-ja nuk ka vendosur ende për kandidatin që do ta zgjedhë, por me gjasë ai do të jetë nënkryetari i saj dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Periskopi merr vesh nga burime brenda LDK-së se lakimi i emrit të Avdullah Hotit si kandidat potencial i LDK-së është në nivel spekulimesh, meqenëse ai nuk është diskutuar në organet vendimmarrëse të partisë.
“Avdullah Hoti nuk është kandidat. Është spekulim. Nuk është vendosur ende se kush do të jetë ai”, thonë burime të Periskopit.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi ishte sot i ftuar në Klan Kosova, ku tha se Lutfi Haziri përmbush të gjitha kriteret që kërkohen për një kandidat që t’i hyjë kësaj gare.
Ai nuk e definoi emrin e Hazirit si i zgjedhur për këtë garë, por la të kuptohet se ai është kandidati më i mundshëm i LDK-së për kryeministër.
Këtë gjë e thonë edhe burimet e Periskopit brenda LDK-së, derisa ndryshimi në momentet e fundit është gjithmonë i mundshëm. /Periskopi/



