Avokati i njohur kroat: Thaçi ka të drejtë, zbulimi i informacionit konfidencial u bë për të sabotuar një proces politik paqeje

Periskopi.com Lajme

Avokati i njohur amerikan me origjinë kroate, Luka Misetic, ka thënë se Presidenti Thaçi ka të drejtë kur thotë se nuk e di nëse ishte intrigë apo rastësi, lëshimi i një aktakuze të pakonfirmuar, rrugës për në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij ky veprim ishte sabotim i një procesi politik paqeje.

Avokati i me origjinë kroate, i cili ka qenë edhe avokat i gjeneralit të famshëm kroat Ante Gotovina, ka reaguar ndaj fjalimit të Thaçit drejtuar publikut të gjerë që nga publikimi i propozim-aktakuzës nga Specialja, i cili ndër të tjera ka thënë se nuk e di nëse ka qenë rastësi apo ishte intrigë që në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar.

“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar.A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës?”, është shprehur sot Thaçi ndër të tjera.

Luka Misetic, tha se Thaçi ka të drejtë kur thotë kështu, sepse për drejtësinë ndërkombëtare akuzat për ndërhyrje politike për 30 vite kanë qenë thembra e Akilit.

Ai tutje ka thënë se kjo lëvizje nga Jack Smith (Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale), për zbulimin e informacionit konfidencial u bë vetëm për të sabotuar një proces politik paqeje.

Misetic e ka cilësuar si fillim të keq këtë veprim të Gjykatës Speciale.

“Thaçi ka të drejtë. Thembra e Akilit për drejtësinë ndërkombëtare për gati 30 vjet ka qenë pretendimi për ndërhyrje politike. Pra, cila është lëvizja e parë e madhe e KSPO Jack Smith? Zbulimi i informacionit konfidencial vetëm për të sabotuar një proces politik paqeje. Fillim i keq për KSC.” ,ka shkruar Misetic në Twitter.

Shpërndaje në: