Avokati i Popullit i Kosovës kërkon shpjegim për rastin e Gashiqit

Avokati i Popullit i Kosovës kërkon shpjegim për rastin e Gashiqit

“Kam një vit këtu, tani më është bërë njëjtë”, thotë Dragica Gashiq, pjesëtarja e parë nga komuniteti serb e kthyer në Gjakovë, qytet rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Ajo është kthyer në vendlindjen e saj dy dekada pas zhvendosjes nga aty, por kthimi i saj në mjedisin ku gjatë luftës u vranë më shumë se 1 mijë bashkëqytetarë të saj shqiptarë, ishte shkak për rezistencë dhe protesta.

Një vit më vonë, Gashiq thotë se beson që qytetarët e Gjakovës e kanë pranuar kthimin e saj dhe se nuk ka më probleme.

“Mbijetova në kohën më të keqe, kështu që do ta mbijetoj edhe këtë”, thotë Gashiq.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me të pasi Avokati i Popullit i Kosovës kërkoi nga autoritetet lokale që të përgjigjen se çfarë kanë ndërmarrë lidhur me kërkesën e Dragica Gashiqit për t’i lejuar asaj të rinovojë banesën.

“Në banesë rrjedhë shiu, çatia ka nevojë për riparim dhe më pas të lyhet dhe të gëlqeroset. E tërë banesa, në përgjithësi, duhet të rinovohet”, thotë Gashiq, duke e shtuar se me durim do ta presë lejen nga komuna.

Çfarë kërkoi Avokati i Popullit?

Komuna e Gjakovës ka afat prej 30 ditësh për t’i kthyer përgjigje Zyrës së Avokatit të Popullit se çfarë hapash ka ndërmarrë për zbatimin e rekomandimit të tyre, që të kthyerës Dragica Gashiq t’i lejohet “shfrytëzimi i lirë dhe i papenguar i banesës” dhe që asaj t’i lejohet ta rinovojë atë.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Marija Raduloviq, zëvendëse e Avokatit të Popullit në Kosovë.

Megjithatë, ajo thekson se rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk janë obliguese, përkatësisht nuk kanë funksion ekzekutiv.

“Çdo institucion kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në rastin konkret Avokati i Popullit, jep rekomandime. Por, kur lëshohet një raport, në të cilin konstatohet shkelja e të drejtave të njeriut, institucioni i caktuar është i detyruar të informojë brenda 30 ditëve për masat konkrete që ka ndërmarrë. Ky është hapi i radhës”, thotë Raduloviq.

Dragica Gashiq u kthye në banesën e saj në fillim të qershorit të vitit 2021, pasi ajo i ishte liruar nga Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës. Që atëherë, Gashiq është përpjekur të marrë leje për rinovim, por pa sukses.

Cili është qëndrimi i institucioneve vendore?

Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti që të marrë një përgjigje nga autoritetet lokale në Gjakovë lidhur me atë se a do të lejojnë Gashiqin që të rinovojë banesën e saj, ashtu siç ka kërkuar dhe Zyra e Avokatit të Popullit.

Paraprakisht, vitin e kaluar Komuna e Gjakovës kishte kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti që Gashiqit “t’ia anulojë marrëveshjen për qira të banesës, me kërkesën për masë të përkohshme”.

Megjithatë, gjykata e refuzoi këtë kërkesë të autoriteteve lokale me arsyetimin se ishte “e pabazë dhe e panevojshme” dhe Dragica Gashiqit iu lejua të qëndrojë në banesën e saj.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Gjykatës Themelore në Gjakovë me pyetjen se deri ku ka arritur procedura në rastin e Dragica Gashiqit dhe të drejtave të saj pronësore, por deri në publikimin e këtij teksti nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në deklaratat e mëparshme për mediat lokale në Kosovë, ka thënë se Gashiq e kishte regjistruar banesën si pronë të saj në vitin 1997, gjatë regjimit të Slobodan Milosheviqit dhe se ato ishin “kohë të kontestueshme”.

Pse ishte kontestuar kthimi?

Në fillim të qershorit të vitit të kaluar, 11 organizata joqeveritare nga territori i Komunës së Gjakovës shprehën pakënaqësinë e tyre për kthimin e Dragica Gashiqit, pjesëtare e komunitetit serb.

Gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999, në Gjakovë u vranë më shumë se 1 mijë civilë shqiptarë, kryesisht burra. Disa prej tyre, ende konsiderohen të zhdukur për shkak se fati i tyre ende nuk është ndriçuar.

Megjithatë, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kanë shprehur brengosjen lidhur me të drejtat për kthim të Dragica Gashiqit në Gjakovë. Ata pretendojnë se nuk po respektohet fryma e Kushtetutës së Kosovës, konkretisht neni 156, i cili thotë se Kosova do të “promovojë dhe lehtësojë kthimin e sigurt dhe të dinjitetshëm të të zhvendosurve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, dhe se do t’i ndihmojë ata të rimarrin pronën dhe gjërat e tyre personale”.

Gjithashtu, Zyra e Avokatit të Popullit, në raportin vjetor për vitin 2021, deklaroi se një numër i komuniteteve joshumicë nuk mund të disponojnë lirisht me pronën e tyre të paluajtshme.

“Është fakt se në vitet e fundit ka pasur përparim në zgjidhjen e çështjeve pronësore-juridike. Megjithatë, autoritetet duhet të sigurojnë që të gjithë personat të disponojnë pronën e tyre në përputhje të plotë me ligjin dhe të gëzojnë të drejtat e tyre, duke u garantuar atyre mbrojtje gjyqësore dhe institucionale”, thuhet në raport.

Dy dekada të procesit të kthimit

Procesi i kthimit të serbëve në Kosovë ka më shumë se 20 vjet që vazhdon, por më së shumti në zonat rurale dhe jo në qytete. Po ashtu, Kosova ende nuk ka arritur të zgjidhë çështjen e kthimit të plotë të shqiptarëve të zhvendosur nga veriu i vendit, ku jeton popullata shumicë serbe.

Sipas legjislacionit, të gjithë personat e zhvendosur kanë të drejtë të kthehen në Kosovë dhe për këtë u ndihmojnë institucionet kompetente, Ministria për Komunitete dhe Kthim, drejtoritë komunale për komunitete dhe kthim, si dhe organizatat e ndryshme.

Në vitin 2018, derisa Ramush Haradinaj ishte kryeministër, Qeveria e Kosovës miratoi dekretin “Për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhjet e përhershme”, i cili i referohet krijimit të kushteve të nevojshme për arritjen e zgjidhjeve të përhershme për personat e zhvendosur brenda Kosovës dhe në rajon, e të cilët janë zhvendosur si pasojë e konfliktit në periudhën nga 28 shkurti i vitit 1998 deri më 31 mars të vitit 2004.

Aktorët kryesorë për procesin e kthimit janë Ministria për Komunitete dhe Kthim, zyrat komunale për komunitete dhe kthim, si dhe partnerë të tjerë relevantë që mbështesin procesin e kthimit dhe riintegrimit.

Shpërndaje në: