Avokati i Thaçit: Gjykata Speciale po e kriminalizon UÇK’në

Avokati i Thaçit: Gjykata Speciale po e kriminalizon UÇK’në

Avokati i ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper, thotë se Gjykata Speciale është duke e kriminalizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Kur flasin për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ata flasin qartë për katër të akuzuarit që janë atje dhe pastaj thonë “dhe pjesëtarë të UÇK-së”. Ata nuk thonë disa pjesëtarë të UÇK-së por “pjesëtarët e UÇK-së”, pra ajo që po ndodh këtu është se organizata, e cila ishte përgjegjëse për çlirimin e këtij shteti dhe këtij populli, tani po kriminalizohet” tha Prosper për emisionin Rubikon.

I pyetur se a po i targeton Gjykata Speciale vetëm shqiptarët, Prosper tha se nuk mund të flasë për motivet, por fakti që të arrestuarit e kësaj gjykate i përkasin vetëm etnisë shqiptare tregon se në çfarë drejtimi po shkon gjykata.

“Duhet t’i shohim faktet këtu dhe me çfarë kemi të bëjmë dhe njerëzit që janë këtu, në këtë gjykatë, janë të etnisë shqiptare dhe njerëzit që janë në këtë gjykatë janë njerëz të lidhur me UÇK-në dhe mendoj se kjo në vetvete është një tregues se në çfarë drejtimi po shkon kjo gjykatë”.

“Ne po vazhdojmë ta bëjmë punën tonë që të hetojmë dhe ta ndërtojmë mbrojtjen tonë, ashtu siç e diskutuam më herët, një pjesë sfidohet për faktin se nuk i kemi të gjitha informatat, aktakuza mbetet e redaktuar, ka dëshmitarë, për të cilët nuk e dimë se kush janë, që prokuroria ka për qëllim t’i sjellë, por siç thash, sa më shumë që zhytemi në faktet e këtij rasti, sa më shumë që flasim me njerëzit, për ngjarjet, për incidentet për këtë “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, siç e përshkruajnë, aq më shumë besojmë në rastin tonë”.

Duke folur për mos përfshirjen e raportit të Dick Martit në aktakuza, Prosper tha se kjo gjykatë nuk po e përmbushë qëllimin për të cilin është themeluar.

“Prandaj është e rëndësishme që ata që e nisën këtë gjykatë t’i kushtojnë vëmendje dhe ta pyesin veten sa a plotëson kjo gjykatë qëllimin, për të cilin është themeluar, sepse siç theksuat edhe ju, kjo gjykatë është e bazuar në raportin e Martit dhe nuk ka akuza për trafikim organesh në këtë aktakuzë, pra ne jemi këtu për arsye krejt tjera”, tha Prosper.

Shpërndaje në: