Azemi për Vetëvendosjen: Ngritje e ngadaltë për një rënie të shpejtë

Azemi për Vetëvendosjen: Ngritje e ngadaltë për një rënie të shpejtë

Zyrtari për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun i AAK-së, Ardian Azemi ka thënë se arsyetimet e Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Kryeministrit Kurti dhe zyrtarëve të tjerë për shtyrjen e zgjedhjeve nuk kanë të bëjnë fare me pandeminë dhe shëndetin e qytetarëve por kryekëput të ndikuar nga sondazhet.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se sikur të ishin të interesuar për shëndetin e qytetarëve, tanimë vaksinimi do të ishte temë e mbyllur.

“Përpjekja për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, nuk ka të bëjë fare me pandeminë, as me shëndetin e qytetarëve, as me ekonominë e vendit. Po të kishin vullnet dhe sikur t’iu interesonte jeta e qytetarëve, tanimë vaksinimi do të ishte temë e përfunduar. Por jo, muhabete koti janë këto”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se këtë mendësi qeverisëse do ta rrëzojë e kaluara e saj, jo opozita e as shoqëria civile.

“E kemi thënë disa herë që këtë mendësi qeverisëse do ta rrëzojë e kaluara e saj. As opozita, as shoqëria civile, por kryekëput e kaluara e tyre mashtruese”

“Qytetarët kanë dashur ndryshim në qeverisje, normale kjo për shoqëritë demokratike. Ndryshimi i pushtetit i bënë hajr demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve, në rastet kur ka vullnet dhe seriozitet. E tani po shohim mashtrime e baltosje”, ka shkruar ai.

Azemi ka shtuar se Vetëvendosje ka mashtruar qytetarët për shumë vjet, ndërsa me të ardhë në pushtet u rritë nepotizmi, korrupsioni dhe u shkelën premtimet.

“Populli besoi se të paktën këta njerëz do të jenë të qëndrueshëm në raport me Serbinë, sepse ishte një premtim që e kishin dëgjuar për vite të tëra. Qytetari u bind se këta njerëz do ta luftojnë korrupsionin, nepotizmin, sepse rrugët e sheshet e Kosovës ishin përgjakur nga protestat duke i luftuar saktësisht këto dukuri. Njerëzit e kërkuan ndryshimin, u mobilizuan, ia dhanë fuqinë politike që asnjëherë nuk e kishte pasur askush përgjatë dy dekadave”.

“Ndryshimi ndodhi për të keq. Shkuan në dialog me Serbinë pa plotësuar kjo e fundit as edhe një kusht të vetëm. Përkundrazi, përpos se nuk e vendosën reciprocitetin dhe hoqën tarifat e fundit ndaj Serbisë, i premtuan kësaj të fundit edhe arkivat e paqena, e ministrat shkojnë në Beograd pa asnjë pengesë apo kompleks”.

“Korrupsioni është centralizuar, janë ndalur projektet në secilën komunë të Kosovës dhe tenderët ipen pa përfillur procedurat. Përderisa partitë tjera që ishin më herët në pushtet, punësuan militantët e tyre, e që është shumë normale, këta i injoruan anëtarët e partisë dhe i punësuan krejt akraballëkun, ata të cilët dikur ishin veç për dasma, kanagjegja e syneti”, ka shtuar Azemi.

Sipas Azemit, Qeveria Kurti ka injoruar komunat e Kosovës duke i ndalur thuajse të gjitha projektet, ndërsa qeverisjen e vendit e kanë reduktuar në konferenca për media.

“Qeverisjen e vendit e kanë reduktuar në konferenca për shtyp, në të cilat ndonjëherë i ftojnë vetëm 2-3 media. Megjithatë pushtetarët dalin të veshur bukur, nuk harrojnë të vendosin as mindilat. S’ka projekte për komuna, besa as vizita në to, sepse ata i konsiderojnë ato thjeshtë  hambarë votash. Edhepse kanë shumicë të pakontestuar në Kuvend, ligjet e miratuara ende nuk kanë arritur numrin dyshifror”.

“Për këto arsye, pushteti kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve, sepse matjet nuk janë në favor të tyre. Para pak muajsh kur matjet i nxirrnin fitues, zjarr nga goja nxirrshin duke kërkuar zgjedhje. Ishte kohë pandemie edhe atëherë. LVV u ngrit ngadalë, por po bie shpejtë”, ka përfunduar Azemi.

Shpërndaje në: