Bajrami: Përgjegjësia i takon LVV-së për të arritur një marrëveshje politike

Bajrami: Përgjegjësia i takon LVV-së për të arritur një marrëveshje politike

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje që po e pengon konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

Pas dështimit për herë të pestë që të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe trupat e tjerë të legjislativit, Bajrami ritheksoi se LDK-ja s’ka votë Albulena Haxhiu si e nominuar e LVV-së për kryeparlamentare, mirëpo as për ndonjë kandidatë tjetër nga kjo parti.

Sipas saj, përgjegjësia për të zhbllokuar situatën në Kuvend i takon LVV-së, duke arritur një marrëveshje politike.

“Lëvizja Vetëvendosje sot për herën e shtatë pengoi konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ajnshtajni e ka thënë shumë qartë që është çmenduri me përsërit veprimin e njëjtë dhe me prit rezultat ndryshe. Është që sa herë që për zonjën Haxhiu ka vetëm 57 vota dhe sa herë që vijnë eksponentë të LVV-së deklarohen se mbase partitë opozitare kanë reflektuar. Në emër të LDK-së unë mund të them që s’kemi votë për Albulena Haxhiun dhe as për ndonjë kandidatë tjetër”, tha ajo.

Bajrami e cila është propozuar si shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se partia fituese e zgjedhjeve LVV-ja nuk mund të imponojë votën për në Kuvend.

Sipas saj, institucionet konstituohen me marrëveshje politike, mirëpo LVV-ja po insiston t’i marrë të gjitha pozitat institucionale pa e pasur shumicën në Kuvend.

“Zgjedhjet e 9 shkurtit e kanë treguar qartë se qytetarët nuk i kanë dhënë askujt shumicën absoluten për të formuar si parti e vetme institucionet e Kosovës. Institucionet konstituohen me marrëveshje politike, por pavarësisht rezultatit të votave LVV-ja insiston që t’i marrë të gjitha pozitat pa e pasur shumicën dhe një gjë e tillë nuk mund të ndodh. LDK-ja e ka thënë qartë kur ka refuzuar një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në, por janë edhe parti të tjera, andaj konsideroj se është dështim i tyre dhe vetëm i tyre nëse këta s’kanë lënë hapësirë bashkëpunimi me asnjë parti politike”, shtoi Bajrami.

Në anën tjetër, e pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Bajrami tha se janë të gatshëm për një gjë të tillë, mirëpo barra kryesore për një gjë të tillë i takon partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Partitë politike janë gjithmonë të gatshme për zgjedhje, por unë konsideroj që qytetarët e Kosovës s’kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit për ta dërguar vendin prapë në zgjedhje pa u bërë konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Nëse shkojmë në zgjedhje përgjegjësia i takon partisë së parë e cila është mandatuar për formimin e institucioneve”, deklaroi Bajrami.

Ajo ritheksoi se janë duke përgatitur një kallëzim penal ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar të cilët përkundër që janë betuar si deputetë vazhdojnë të ushtrojnë detyrat e tyre në ekzekutiv./Periskopi/

Shpërndaje në: