Balla i PS’së: Kush e quan veten pasardhës të Skënderbeut s’del kundër rezolutës ndaj Dick Martyt

Balla i PS’së: Kush e quan veten pasardhës të Skënderbeut s’del kundër rezolutës ndaj Dick Martyt

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur për rezolutën që pritet të votohet nesër në Kuvendin e Shqipërisë kundër pretendimeve të Dick Martyt për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Ai, në një intervistë për Klan Kosovën, kërkoi nga të gjithë deputetët votë pro për këtë rezolutë. Madje, Balla tha se kushdo që thotë se është pasardhës i Skënderbeut nuk mund të votojë kundër.

“Kush është shqiptar, që e ka zemrën në vendin e duhur, s’besoj që mund të ngre karton kundër kësaj rezolute. Kush e quan veten pasardhës të Skënderbeut dhe me të njëjtën kombësi me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin mendoj se s’mund t’i dalë kundër kësaj rezolute”.

Balla tha se pretendimet në të cilat janë përfshirë edhe Shqipëria edhe Kosova për gjoja trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së kanë pasë për qëllim njollosjen e kësaj ushtrie.

“Në këtë kontekst të krijuar, ne nuk mund të rrinim duarkryq, nuk mund t’i mbyllnim sytë ndaj një përpjekje që rezultoi e padrejtë për të dëmtuar imazhin, emrin dhe kontributin e UÇK-së si luftë çlirimtare”.

“UÇK-ja në Kosovë ka bërë luftë çlirimtare, pra ka çliruar një vend të pushtuar nga një pushtues i huaj, dhe në këtë këndvështrim, nevoja për të eliminuar një shpifje e cila u kthye në pretendime se gjoja UÇK-ja, udhëheqësia e kësaj ushtrie, janë përfshirë në, o Zot na ruaj, trafikim organesh njerëzore. Kjo është e rëndë dhe në këtë aspekt mendoj se kemi bërë gjënë e duhur”.

Ai tutje tha se ndjehet krenar me partinë e tij, derisa thotë se PS-ja ka qenë gjithmonë në krahun e duhur të historiesë.

Taulant Balla e cilëson këtë rezolutë si çështje të rëndësisë kombëtare.

“Rezoluta është çështje e rëndësisë kombëtare, është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët që një përpjekje dritëshkurtër për ta bërë pis luftën e UÇK-së, për ta ndërlidhur me elemente që ne shqiptarët s’e kemi as në zakon, nuk e përdhos shqiptari as të vdekurin e askënd tjetër. Në këtë aspekt, përpjekja për t’i veshur luftës së UÇK-së këtë element, duhet dhe po merr përgjigjen e duhur”, është shprehur Balla, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se Gjykata Speciale është themeluar pikërisht mbi pretendimet e Dick Martyt se në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer trafikim organesh.

 

Shpërndaje në: