Balotazhi në Istog, ja sa vota i ndajnë Feratin e LDK-së dhe Berishën e AAK-së

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të 37 Komunave, të cilat u mbajtën më 17 tetor 2021.

Në Istog, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, do të jetë në balotazh me kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha.

Ferati ka dal i pari me 7 974 vota ose 41,09%, ndërsa Berisha është i dyti me 5 140 vota ose 26,49%. Diferenca mes kandidatëve është 2 834 vota.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Agron Avdijaj, ka dalë i treti, ndërsa kandidati i PDK-së, Ali Nimanaj, është i katërti pasuar nga kandidati Idriz Blakaj nga Iniciativa Qytetare Bashke për Istogun.

Në Komunën e Istogut numri i votuesve të regjistruar ka qenë 47 693, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 18 941 qytetarë. Numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit, si me kusht, VPNV dhe me postë është 1 125.

Pjesëmarrja në votime në Istog është 42,07%.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, në afat brenda 24 orësh, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.