Basha pas dëshmisë për protestën: T’i japim fund valles së tranzicionit

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes, pasi u thërrit të dëshmojë mbi atë që ndodhi më 8 janar në selinë e PD.

“Demokratët u thërritën për t’u përdorur si fasadë. Por një pjesë e mirë u distancua nga dhuna dhe unë i përshëndes. Ky është një nga dëmet më të mëdha që po i shkaktohet Partisë Demokratike për interesat e Sali Berishës”, tha Basha.

“Ndonëse PD ishte subjekt i një sulmi barbar dhe të dhunshëm, kërkuam zbardhjen e ngjarjes. Nuk do të humbasim asnjë sekondë në këtë kurth, por duhet një orë e më parë të jemi në krye të betejës për ta çliruar Shqipërinë nga ky makth. Me aktet e 8 janarit, Sali Berisha është dëshmuar aleat i çmuar i qeverisjes së keqe”.

Basha tha gjithashtu se Berisha kërkon të pengojë ecjen përpara të vendit me veprimet e tij.

“Kjo prokurori duhet të gëlonte nga të arrestuarit për aferat korruptive, sot Sali Berisha është përpjekur ta pengojë këtë. Por theksoj që nuk ia ka dalë. 8 janari është pjesë e përpjekjeve të një grushti njerëzisht për ta mbajtur Shqipërinë pa demokraci, pa ekonomi të vërtetë, si plaçkë të tyre”.

“Duhet t’i japim fund valles 30-vjeçare të tranzicionit, të largojmë valltarët e tranzicionit. Të qëndrosh në krye të PD sot nuk është privilegj, është një mision. Kjo është një betejë që nuk më takon vetëm mua. I ftoj gjithë shqiptarët e ndershëm t’i bashkohen kësaj beteje, sepse e di që shumica absolute e demokratëve dhe socialistëve, e duan Shqipërinë”.