Bashkëpunëtorët e prokurorisë tërheqin dëshmitë për grupin e Llazaratit

Bashkëpunëtorët e prokurorisë tërheqin dëshmitë për grupin e Llazaratit

Dy dëshmitarët e drejtësisë, Elvis Kaça dhe Klodian Selimi, janë tërhequr nga bashkëpunimi për skenarin e rrëfyer prej tyre për Lazaratin, që sipas tyre 11 të rinj, më i vogli i tyre 16 vjeç, u organizuan kundër policisë, duke vrarë efektivin Ibrahim Basha.

Të dy dëshmitarët e mbrojtur kanë pohuar se i kishin dhënë dëshmitë për shkak të dhunës, duke treguar edhe emrat e shokëve.

10 të pandehur insistuan sërish në gjykim të shkurtuar. I vetmi që këmbëngul në gjykim të zakonshëm është Elvis Bocia, i cili pretendon se nuk ka qenë në vendngjarje, pasi siç thotë, në çastet kur u organizua sulmi i armatosur ndaj policisë, ai ndodhej në banesë duke dëgjuar këngët e Stresit.

Elvis Bocia ishte shkaku i kthimit të gjykimit, atëherë kur dosja ishte pak hapa larg dhënies së drejtësisë.

Avokati fillimisht kërkoi të thirrej për të dëshmuar gjithë fshati, e më pas e ngushtoi rrethin e dëshmitarëve, ndërsa kërkoi gjithashtu të shfaqeshin pamjet e një kamere sigurie ku dallohen 5 persona të armatosur.

“Ka të dhëna se është një person tjetër, se ai nuk ka qenë aty. Kjo është detyrë e prokurorisë dhe policisë për ta hetuar”, ka deklaruar avokati Ilir Murati.

Në seancën e ardhshme do të dëgjohen 7 dëshmitarë, që të gjithë efektivë policie, që ishin në vendngjarje kur u vra Ibrahim Basha, si edhe të tjerë që kishin përpiluar planin e patrullimit në fshatin Lazarat.

Shpërndaje në: