Bayerni triumfon në derbin “Der Klassiker” ndaj Dortmundit

Periskopi.com Sporti

Bayerni ka shënuar fitore ndaj Dortmundit në Signal Iduna Park.

‘Bavarezët’ kanë triumfuar me rezultat 3-2 si mysafir i Dortmundit.

Goli i parë u shënua nga Julian Brandt në minutën e 5-të të ndeshjes, teksa rezultati u barazua vetëm pas katër minutave kur Lewandowski barazoi shifrat në minutën e nëntë.

Në minutën e 44-të, Kingsley Comani i dha epërsinë bavarezëve pas një hutie në mbrojtjen e vendasve, duke e çuar kështu skuadrën e tij në epërsi pas 45 minutave të parë.

Dortmundi reagoi shpejtë në pjesën e dytë, me Haaland i cili barazoi shifrat në minutën e 48-të, duke realizuar një gol mjaft të bukur pas një asisti nga Bellingham.

Mysafirët nuk u ndalën dhe rikthyen edhe një herë avantazhin, përsëri me anë të Robert Lewandowskit i cili realizoi golin e dytë të tij personal në këtë ballafqim dhe të tretin të fitores për skuadrën e tij.

Me këtë fitore, Bayerni shkëputet tani në katër pikë nga Dortmundi, duke qëndruar me 34 pikë të mbledhura, karshi 30 pikëve të Dortmundit në pozitën e dytë.

Haaland realizoi golin e 51-të në po aq ndeshje të zhvilluara për Dortmundin në Bundesliga, gjersa Lewandowski tani ka shënuar 26 gola në 25 paraqitje ndaj ish-skuadrës së tij.

Sulmuesi polak gjithashtu me ‘dopietën’ e sotme tani ka realizuar 118 gola në transfertë në Bundesliga, duke e thyer rekordin e Klaus Fischer në listën e golashënuesve më të mirë në histori të Bundesligas në terrenin mysafir.