BE-ja do t’ua dhurojë edhe 200 milionë vaksina shteteve të varfra

BE-ja do t’ua dhurojë edhe 200 milionë vaksina shteteve të varfra

Bashkimi Evropian do t’ua dhurojë 200 milionë doza të vaksinës për Covid-19 shteteve me të ardhura të ulëta, tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Sot mund të njoftoj që komisioni do të shtojë edhe një donacion prej 200 milionë dozave tjera deri në mesin e vitit të ardhshëm”, tha von der Leyen në Parlamentin Evropian në fjalimin vjetor.

Ajo pranoi se ka pabarazi mes shteteve të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e Evropës, të cilat e kanë vaksinuar shumicën e popullsisë, dhe shteteve më të varfra, të cilat po kanë vështirësi për të siguruar vaksina, shkruan France24, transmeton Gazeta Express.

“Me më pak se një për qind të dozave globale të dhëna në shtetet me të ardhura të ulëta, shkalla e padrejtësisë dhe niveli i urgjencës janë të qarta”, tha zyrtarja e lartë e BE-së.

Von der Leyen e vlerësoi lart procesin e vaksinimit në vendet e Bashkimit Evropian, ku mbi 70 për qind e popullsisë së rritur tashmë është vaksinuar.

Sipas saj, Evropa ka bërë më shumë se secili rajon për t’i furnizuar shtetet tjera me vaksina, duke theksuar se gjysma e 1.4 miliard vaksinave të prodhuara në territorin e kontinentit tonë janë eksportuar jashtë tij.

Shpërndaje në: