BE me mision vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë

BE me mision vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë

Bashkimi Evropian vendosi të dërgojë në Kosovë një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 17 tetor.

Vendimi vjen në përgjigje të një kërkese të bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e BE-së thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, emëroi deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë.

Pas këtij vendimi, Borrell tha se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj evropian dhe në forcimin e qeverisjes demokratike.

“Për të tretën herë, ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes një misioni të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Besoj se prania e këtij misioni do të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe të ndihmojë reformat e nevojshme zgjedhore për të ardhmen. Presim që të vazhdojmë bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës për të forcuar procesin zgjedhor, në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e misioneve tona”, tha Borrell.

Mandl tha se është i nderuar për besimin që i është dhënë me emërimin.

“Jam i bindur se misioni do të sjellë një vlerë të shtuar në procesin zgjedhor. U gëzohem takimeve dhe angazhimit me autoritetet në terren, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe pjesëmarrësit tjerë në procesin zgjedhor”, tha ai.

Sipas një njoftimi të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, dhjetë ekspertë zgjedhorë janë vendosur tashmë në Prishtinë.

Deri në mes të shtatorit, atje do të arrijnë edhe 22 vëzhgues afatgjatë.

Misioni do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër gjatë ditës së zgjedhjeve, përfshirë edhe në rast të rundit të dytë, më 14 nëntor.

Shpërndaje në: