BE ndërpren dialogun: Si kuptohet fjalia më dramatike në marrëveshjen e djeshme

BE ndërpren dialogun: Si kuptohet fjalia më dramatike në marrëveshjen e djeshme

Një dakoordim për targat u arrit në Bruksel. Ndonëse në bisedimet mbi pesë orëshe të ditës së djeshme mes Bislimit e Petkoviqit ishte veç Lajçaku si ndërmjetësues, përfaqësuesi i lartë i BE’së, Joseph Borrell bëri një deklaratë gjogja dramatike, e ndoshta edhe kërcënuese për të dyja palët. U tha se nëse procesi bllokohet tutje nga njëra palë, e stopojnë krejt dialogun. Njohësit e çështjes, për Periskopin na sqarojnë si mund të kuptohet kjo…

Asnjëherë më parë nuk është dëgjuar që ndërkombëtarët, si ndërmjetësues të kenë thënë se e ndalojnë krejt procesin e dialogut. Por ja që diçka e tillë ndodhi mbrëmë.

‘’Unë do të ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm në kuadër të propozimit me qëllim paraqitjen e rezultateve nga Grupi Special për normalizim me Kosovën dhe përditësim në Kapitullin 35 për Serbinë. Në rast pengimi nga secila Palë, Lehtësuesi i BE-së mund ta përfundojë procesin.’’, thuhet në deklaratën e Borrell, të shpërndarë nga Zyra e BE’së.

Lidhur me këtë, Periskopi ka kontaktuar analistin Shkëlzen Maliqi dhe njohësin tjetër të çështjes, Artan Demhasaj.

Maliqi mendon se kjo formë e kërcënimit ka ardhur që palët të bëhen më përgjegjëse dhe ta marrin me seriozitet çështjen e dialogut.

‘’Kjo është më shumë detyrimin e të dyja palëve që të marrin procesin serioz dhe s’ka me bë hajgare, a di. Ose me zhagit  a me bojkotu. Qashtu po e kuptoj. Nuk besoj që do kishim luftë, ajo është shumë spekulative. Ata duan të tërhjeken, dhe llogaritet që dikush tërhiqet e dikush jo, dhe kërcënimi më shumë është për Serbinë se tradicionalisht ata nuk kanë dashur të merren me procesin. Po nëse edhe pala jonë tash tregohet bllokuese, mund të ketë pasoja. Lufta nuk lejohet se NATO’n e kemi brenda por ka pasoja tjera. BE e NATO, Amerika kërkojnë që me stabilizu rajonin e mos me leju me pasë konflikte të reja, ose me mbetë kjo situatë pa ndonjë zgjidhje të çështjes së Kosovës.’’, thotë Maliqi.

Ndërsa mendim të njëjtë ndan edhe zotëri Demhasaj. Ai theksoi për Periskopin se Bashkimi Evropian e ka kuptuar s’e nuk mundet pafundësisht procesi të shkojë në këtë formë të zhagitur.

‘’Në të kaluarën nuk kemi dëgju diçka të tillë. Kemi ardhë në përfundim se qet marrëveshje që e kanë arritë në Bruksel, nuk janë zbatu asnjëherë. Pikërisht se BE s’e ka përdorë asnjëherë autoritetin për me i obligu palët për marrëveshjet që i kanë arritë në Bruksel e zbatu. Me gjasë Brukseli e ka kuptu se s’munden me vazhdu kështu, pra me një anë me iu vendos kushte palëve që të ketë mundësi që marrëveshjet që arrihen atje, të zbatohen. Ajo çka Borrell e ka theksu publikisht është se cilado palë që e pengon arritjen e marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, atëherë normalisht që edhe do të sanksionohen dhe sanksionimi në këtë rast mund të jetë edhe ndërprerja, ndoshta e devijimit në çështje të tilla.’’, thotë ai.

‘’Duhet BE autoritetin me tregu sepse edhe Kosova edhe Serbia pretendojnë me u anëtarësu në BE dhe mendoj që këtë kusht duhet me vendosë. Nuk besoj që mund të ketë luftë në asnjë rrethanë sepse asnjërës palë nuk i konvenon lufta. ‘’, shton Demhasaj.

Ndryshe, Borrell ishte mjaft i ashpër edhe në fillimjavë, pasi Kurti e Vuçiq dolën nga takimi tetë orësh pa asnjë marrëveshje për targat.

“Unë do të informoj Shtetet Anëtare të BE-së, Ministrat e Jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesën e plotë të respektimit të detyrimeve të tyre ndërkombëtare ligjore, dhe kjo vlen veçanërisht për Kosovën. Kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ” – tha të hënën Borrell.

Mbrëmë pas bisedimeve mes Besnik Bislimit e Petar Petkoviqit në Bruksel, me ndërmjetësim të Miroslav Lajçakut, u arrit një marrëveshje, që thotë se Serbia ndalon së lëshuari targat me emërtime të qyteteve të Kosovës, e në anën tjetër, Kosova ndalon gjitha veprimet rreth regjistrimit të automjeteve në RKS. Me një fjalë, targa ilegale kemi edhe për një kohë në Kosovë./Kaltërina Misini – PERISKOPI/

Shpërndaje në: