BE: Nuk kemi plane për themelim kampesh për refugjatët

BE: Nuk kemi plane për themelim kampesh për refugjatët

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, iu përgjigj në mënyrë të prerë lajmeve që qarkullojnë ditët e fundit në media për një plan të BE-së për të ndërtuar në territorin e Shqipërisë kampe për refugjatët sirian si kusht për hapjen e negociatave.

“Jo, nuk ka asnjë plan dhe nuk ka asnjë përpjekje të tillë për të shkëmbyer me një kusht të tillë hapjen e negociatave me Shqipërinë”, tha ambasadorja Vlahutin në një takimi me mediat, gjatë vizitës që zhvilloi sot në Bashkinë “Malësi e Madhe”.

“Në qoftë se ka kushte për Shqipërinë”, vazhdon ambasadorja, “ato janë kushte për të përmirësuar më shumë vendin, në kuptimin e mirëqeverisjes. Pra, gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e ligjit, me shtetin e të drejtës, me mirëqeverisjen, por asgjë që ka të bëjë me migracionin apo ngritjen e kampeve për refugjatët”, raporton VoA.

Ndërsa pritet rekomandimi pozitiv i vendeve të BE-së për çeljen e negociatave, ambasadorja Vlahutin vlerësoi reformat që ka ndërmarrë vendi.

“Për Komisionin Evropian”, tha ambasadorja Vlahutin, “ka qenë e qartë se Shqipëria ka arritur në një fazë, ku duhet të hapë negociatat. Dhe ky është një faktor shumë i rëndësishëm. Në njëfarë mënyre, shtoi ajo, shqiptarët duhet të jenë të kënaqur me mënyrën se si janë bërë reformat, ndërkohë që, për pjesën tjetër, atë të çeljes se negociatave, do të presim datën 29 qershor”.

Vlahutin vlerësoi reformën në drejtësi si reformën më gjithëpërfshirëse të ndërmarrë ndonjëherë në një vend në tranzicion. Ajo tha se shpresonte që, para fundit të vitit, do të jenë ngritur institucionet e pavarura dhe procesi i Vetingut do të vazhdojë me ritme më të larta.

“Ky është një proces transformimi të brendshëm”, vazhdoi ambasadorja Vlahutin, “dhe qytetarët shqiptarë i kuptojnë dhe i kërkojnë këto reforma për të jetuar më mirë dhe në një Shqipëri më të mire”.

Ndërkohë, duke iu përgjigjur shqetësimit të zyrtarëve vendorë të Bashkisë “Malësi e Madhe” në lidhje me problematikën e pronave, ambasadorja e BE-së tha se ishte tërësisht e vetëdijshme se ky është një problem i jashtëzakonshëm dhe që ekziston në të gjithë Shqipërinë. Ajo shtoi se situata është urgjente për të zgjidhur çështjen e të drejtës së pronës, pasi ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe me investimet në vend.

Shpërndaje në: