Bedri Hamza më i pëlqyer se Agim Bahtiri për kryetar të Mitrovicës

Bedri Hamza më i pëlqyer se Agim Bahtiri për kryetar të Mitrovicës

Një prej garave më të ashpra që po zhvillohet për kryetar komune është ajo për të parin e Mitrovicës.

Kandidati i PDK-së për kryetar, Bedri Hamza, me kryetarin aktual të Mitrovicës, Agim Bahtirin, i cili po tenton të bëhet kryetar për herën e tretë, janë rivalët kryesorë.

Hamza dhe Bahtiri si personalitete dallojnë jashtëzakonisht shumë me njëri-tjetrin, shkruan Periskopi.com.

Bedri Hamza është një intelektual i dalluar, ministër i suksesshëm dhe një nga ekonomistët dhe financierët më të mirë që ka Kosova dhe rajoni. Ai ka mbi 20 vite në politikë dhe deri më tani nuk e ka asnjë njollë të zezë në karrierën e tij.

Kandidatura e Hamzës për kryetar të Mitrovicës është pritur shumë mirë nga mitrovicasit, të cilët duket se po e shohin atë si shans jetësor për ta nxjerrë Mitrovicën nga gjendja ku është katandisur si komuna më e varfër në Kosovë.

Në anën tjetër, kundërkandidati i tij, Agim Bahtiri, të cilin sondazhet e nxjerrin në disavantazh në raport me Hamzën, kryesisht njihet vetëm për skandalet e tij, për dështime të shumta në qeverisje, për premtime qesharake, por edhe për sjelljen e komunës së Mitrovicës në prag të “falimentimit” për shkak të borxheve të shumta publike.

Bahtiri së fundmi është akuzuar nga një bashkëpartiak i tij edhe për amoralitet, me akuza direkte se komunën e ka shndërruar në harem të tij personal, duke punësuar vajza të reja në administratën e Mitrovicës.

Duke qenë i vetëdijshëm që është në disavantazh, Bahtiri aktualisht po e shfrytëzon tërë rrjetin e tij klientelist që ka përfituar nga qeverisja e tij, ku përfshihen edhe media të afërta me të për ta sulmuar Hamzën, veçanërisht duke u munduar ta ndërlidhin me figura të tjera jashtë Mitrovicës, që nuk gëzojnë reputacion aq të mirë te qytetarët e Mitrovicës.

Megjithatë, kjo propagandë përçarëse me të cilën Bahtiri i ka fituar herëve të kaluara zgjedhjet, duket që nuk po ngjizet këtë radhë me Hamzën, i cili edhe në listën për asamblistë i ka mbi 90 për qind të kandidatëve figura të reja, të rinj të arsimuar mirë dhe pa hipoteka politike të së kaluarës.

Ky disavantazh i Agim Bahtiri kundrejt Bedri Hamzës po vërehet edhe në rrjetet sociale, sidomos nëse krahasohen llogaritë e tyre në Facebook.

Bahtiri ka llogari në Facebook që disa vite dhe në faqen e tij zyrtare ka mbi 24 mijë ndjekës, por ai po merr më pak pëlqime sesa Hamza, i cili faqen e vet zyrtare në Facebook e ka hapur para dy javësh dhe aktualisht i ka vetëm rreth 7 mijë ndjekës.

Edhe pse Bahtiri ka trefish më shumë ndjekës se Hamza, të gjitha postimet e Hamzës rezultojnë më të pëlqyeshme se ato të Bahtirit, gjë që dëshmojnë edhe pëlqyeshmëri shumë më të madhe për Hamzën në këtë garë zgjedhore.

Zgjedhjet lokale mbahen më 17 tetor 2021 dhe për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Mitrovicë, ato mund ta nxjerrin fituesin qysh në raundin e parë. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: