Bedri Hamza s’e përjashton kandidimin për kryetar

Bedri Hamza s’e përjashton kandidimin për kryetar

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, është paraqitur pas një kohe të gjatë në një emision televiziv dhe ka folur për një varg temash – por njëra prej tyre mund t’i ketë lënë nën ethe për javët ose edhe muajt që po vijnë bashkëpartiakët e tij në PDK: Hamza nuk është i kënaqur.

Hamza ka qenë haptas i ashpër dhe kritik ndaj lidershipit partiak, duke deklaruar se nuk po bëjnë mjaftueshëm e madje as nuk janë të përgatitur mjaftueshëm që të kryejnë detyrat e tyre si parti opozitare.

“PDK duhet të jetë më aktive. E vlerësoj punën, por unë besoj që mund të bëhet më mirë. Jam i bindur për këtë gjë”, u përgjigj z. Hamza në Pressing.

Ai i dha një mori goditjesh partisë në të cilën bën pjesë, duke nënkuptuar se nuk ka bërë mjaftueshëm as sa i përket ofrimit të alternativës opozitare por as sa i përket rekrutimit të njerëzve të përgatitur profesionalisht.

“Ne kemi nevojë me ndryshu, të gjithë e dimë. Kemi nevojë me bo ma shumë. Kem nevojë për vlerë të shtuar brendapërbrenda PDK-së. Që nënkupton vajza të reja, gra, burra – me përgatitje të duhur, me vullnet, me angazhim. Dhe me i përfshi të gjitha shtresat e shoqërisë”, u shpreh z. Hamza.

Më tej, ai bëri edhe një tjetër kritikë tjetër duke thënë se edhe të ftuarit e deritashëm nuk ishin ‘akomoduar’ nga lidershipi partiak në formën e duhur.

“Ne nuk jemi boll. Nëse e ftojmë dikë, s’mund t’i themi hajde por rri qatje”, kritikoi ai mes tjerash

Ish ministri Bedri Hamza përmendi edhe procesin e zgjedhjeve të brendshme në PDK, proces që u shpreh se duhej të mbyllej vitin e ardhshëm.

Ai u pyet edhe nëse z. Memli Krasniqi ishte kryetari i duhur për të udhëhequr me partinë, por përgjigja e tij nuk mund të ishte më negative.

“Unë e kam votu. Ai ka qenë kryetari i duhur për atë moment”, ishin dy fjalitë më domethënëse të tij për këtë çështje, të pasuara me gati asnjë fjalë tjetër mbështetëse për punën e bërë nga kryetari aktual.

Dhe, ai e la të hapur mundësinë që të garonte për kryetar të partisë politike që drejtohej dikur nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Sidoqoftë, ai u shpreh se gara e brendshme në PDK do të ishte “demokratike, dhe e hapur”.

Duhet të kujtojmë se në disa raste kundër lidershipit të PDK-së kishte dalë edhe ish shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj.

Shpërndaje në: