Do bëhesha ministër i Arsimit me një kusht

Do bëhesha ministër i Arsimit me një kusht

Ai në një intervistë për lajmi.net thotë se komisioni i formuar nga Qeveria për ta matur territorin e Kosovës është vetëm sa për “sy e faqe”. Madje një situatë e tillë sipas tij mund të shkaktoj kaos dhe humbje të shpresës. Flet edhe për rezultatin e PISA-së dhe thekson se qëndron mbrapa fjalëve të tij se ministri i Arsimit duhet të burgoset, pasi të shkatërrosh arsimin, sipas Hasanit është sikur ta shkatërrosh një popull. Ndërkaq thotë se do ta pranonte postin e ministrit të Arsimit vetëm me një kusht.

Z.Hasani, në vitin që e lamë pas Kuvendi i Kosovës është përballuar me situata të rënda, për shkak të veprimeve të partive opozitare, ku edhe është hedhur gaz lotsjellës. A mund të na përshkruani se si jeni ndier në ato seanca?

Hasani: Kuvendi i Kosovës në 2016-ën ka qenë edhe në 2015-ën në një gjendje të rëndë,  gjendje  që është përmbledhë më të gjitha dëmet dhe përparësitë. Një Kuvend ku është dashtë të debatohet, të jepen mirëkuptime, në këtë Kuvend kanë ndodh ngjarje të cilat ndoshta për imazhin e Kosovës kanë qenë të pahijshme por megjithatë ato kanë ndodh. Nuk janë përjashtim ose diçka e jashtëzakonshme pasi këso raste kemi edhe në Kuvende tjera të botës por megjithatë ka qenë një gjendje e rëndë. Tani diskutimet që janë bë edhe po bëhen janë po ashtu përparësi, besoj që tash duhet të stabilizohet  gjendja në të ardhmen dhe që viti 2017 të jetë një vit më ndryshe, si në zhvillimin ekonomik edhe në çështjen e Kuvendit.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim për formimin e një komisioni për matjen e territorit, për të shuar dilemat lidhur me demarkacionin me Malin e Zi. Ju jeni njeri nga deputetët që keni pasur dilema për këtë marrëveshje. A prisni që të zgjidhet kjo çështje me këtë matje?

Hasani: Unë asnjëherë nuk kam pasur dilema në mendimet dhe qëndrimet  e mija, kemi debatuar në Kuvend nëpër komisione, me parti dhe gjithherë e kam pas mendimin tim se Kosova humb territor dhe nuk mund të pajtohemi në këtë formë.  Gjithnjë kemi kërkuar gjetjen e zgjidhjes dhe të mos e shtimë në konflikt vetveten tonë për çështjen e territorit, prandaj Komisioni që e ka kërkuar Qeveria është një komision sa për të thënë sepse kjo nuk  e zgjidh çështjen. Kjo krijon edhe një mundësi të kaosit dhe humbjes së shpresës.

A mendoni se do të ketë zgjedhje në fillim të vitit 2017, dhe ku e shihni PDK-në pas zgjedhjeve nacionale?

Hasani: Unë mendoj që rrethanat që tregojnë janë se ne nuk duhet të kemi zgjedhje edhe në 2017-ën dhe zgjedhjet do të duhej të fillojnë ndoshta në pranverën e vitit 2018. Deri atëherë nuk i dihet rrjedhave politike. 2017-ta do të jetë një sfidë jo vetëm për PDK-në pasi kemi një Gjykatë Speciale që do ta fillojë punën, pra është një gjendje që në fund do të tregojë edhe për zgjedhjet.

Vlerësoni se koalicioni me LDK-në ishte gabim, pasi ka pasur shumë analiza që këtë Qeveri e kanë quajtur si më e dobëta?

Hasani: Unë atëherë kur është miratuar e kam thënë që është një koalicion jo i natyrshëm  jo i mirë dhe nuk ka një perspektivë të zhvillimit ekonomik.

Gjykata Speciale pritet të nis punën në fillim të vitit. A prisni drejtësi nga ky proces dhe a mund të  prodhojë ndryshime politike?

Hasani: Nuk mund të them që mund të ketë ndryshime politike por  ajo do të ndikojë në politikë, për shkak  se varësisht prej rrethanave, akuzave që do t’i ngritë, të gjitha janë pjesë që do të ketë ndikim në politikën e Kosovës dhe mandej krejt kjo do të ndikojë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Ju jeni edhe kryetar i komisionit për Arsim dhe vazhdimisht keni qenë kritik ndaj gjendjes në arsimin e Kosovës dhe së fundmi më rezultatin e PISA-s. Çfarë duhet bërë sipas jush që kjo gjendje të ndryshojë për të mirë në të ardhmen?

Hasani: Unë jam kryetar i komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës. Kemi diskutuar shumë herë për projektligjet në fushën e arsimit dhe kulturës, ne  kemi kërkuar që ligjet të plotësohen dhe ndryshohen përmirësohen, në të njëjtën kohë rezultati i PISA-s ka treguar se na nuk kemi cilësi në arsim, kemi vetëm fjalë. Ministri me veprimet e veta ka dështuar, këto ditë ka deklaruar përsëri se do të ketë një test shtetëror për studentë  që do ta kryejnë nga viti i ardhshëm fakultetin me 50 pyetje. Kjo tregon që ne nuk kemi një strategji  për të arritur cilësi të arsimit por kemi vetëm fjalë dhe deklarata publike. Mendoj që fusha e arsimit është një fushë  më e ndjeshme që përmbledh të gjitha familjet në Kosovës. Çdo familje ka të bëjë me arsimin, pra ka nevojë që të mos ndryshohen ligjet por të ndryshohen individët, përderisa ministri Arsim Bajrami kur nuk ka mundur t’i ndryshojë individët i ka ndryshuar individët. Arsimi përmirësohet kur kemi një inspektorat cilësor, dhe që i bën kontrollet.

Po ashtu duhet të mos bëhen eksperimente me kurrikula dhe me sistemin e Bolonjës në Arsim. Sistemi i Bolonjës në Arsim Kosovën e ka shkatërruar e që përfaqësues politik i kësaj marrëveshje është Arsim Bajrami.

Pas rezultateve të PISA-s ju keni kërkuar edhe burgosjen e ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami. A ka qenë një reagim emocional apo ende mendoni kështu?

Hasani: Unë asnjëherë s’kam vuajtur nga një çrregullim i emocioneve por kam deklaruar se testi i PISA-s është përgjegjësi e ministrisë së Arsimit dhe duhen përgjigjur me arrestime dhe burgosje çdokush sepse ka shkelje, sepse të shkatërrosh një arsim është shkatërrim i një populli.

Nëse do ju ofrohej posti i ministrit të Arsimit, a do të pranonit?

Hasani: Në rrethana të tilla me qenë ministër i Arsimit unë e kisha pranuar vetëm me një kusht që vetëm me i pas duart e lira për me punuar në Arsim./Lajmi.net

Shpërndaje në: