Bëhet i gjallë Arben Vitia pas 9 muajve heshtje, ka disa fjalë për zgjedhjet e brendshme të VV-së

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arben Vitia, pas më shumë se 9 muajve ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në këtë subjekt.

Vitia bëri të ditur se gjatë procesit të brendshëm zgjedhor në VV-në e Prishtinës janë zgjedhur organet drejtuese në 24 pika nëpër lagje e fshatra të kryeqytetit.

“Po ashtu edhe për dy organizimet e reja që po themelohen për herë të parë në qendrën tonë si në të gjithë Lëvizjen, ajo e Gruas për VETËVENDOSJE! dhe Rinisë për VETËVENDOSJE!”, shkroi Vitia.

Tutje, ai tha se zgjerimi e strukturimi i VV-së po vijon, teksa shtoi se angazhimi politik është një nga mënyrat më të vyeshme për përparimin shoqëror, veçanërisht, sipas tij, në një organizatë si VV-ja.

“Falënderoj aktivistët e antarët e çdo Pike që me vullnetin e interesimin që i karakterizon në çdo proces ndihmuan me organizimin. Po ashtu duke dëshmuar seriozitet e devotshmëri për këtë proces demokratik në organizatën tonë secili dëshmoi dhe përgjegjësi qytetare”.

“Kohezioni ynë organizativ dhe politik e ka bazën në organet më të rëndësishme të Qendrës, pra Pikat, që nuk ndalen së punuari asnjëherë”, shkroi Vitia.

Kujtojmë se Arben Vitia ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e kryeqytetit, ku në rundin e parë doli bindshëm fitues teksa shtoi në balotazh, ku u mposht nga kandidati i LDK-së, tash kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Postimi i fundit i Vitisë ishte ai i datës 14 nëntor i vitit të kaluar, ku që nga ajo kohë ai ka refuzuar të jetë pjesë e jetës politike, duke refuzuar që të dalë edhe në media.