Behgjet Pacolli: Veprimet populliste të Kurtit po i kthehen bumerang Kosovës

Behgjet Pacolli: Veprimet populliste të Kurtit po i kthehen bumerang Kosovës

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.

Arsyeja e ardhjes së emisarëve në Kosovë është gjetja e një zgjidhjeje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Shtensionimi i situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, këto ishin tri kërkesat kyçe që emisarët i bënë kryeministrit Albin Kurti.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, i ka dhënë dy ditë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të pajtohet me kërkesat e SHBA’së dhe BE’së për situatën në veri meqë të premten ai dhe emisari Lajçak do t’u raportojnë eprorëve të tyre nëse ka sukses ose jo.

Për gjithë situatën e krijuar dhe ardhjen e emisarëve në Kosovë, ka folur për Front Online, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Veprimet e Qeverisë Kurti pa koordinim me aleatët, Pacolli i ka quajtur populliste.

“Nuk e di cila është rruga tjetër? Këto janë pasojat e veprimeve populliste të kësaj qeverie. Veprime, pa u konsultuar me spektrin e gjerë në Kosovë dhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, u shpreh ai.

Pacolli: Institucionet e sigurisë dhe qytetarët po i bartin pasojat e veprimeve të Kurtit

Veprimet, siç tha ai, popullsite të Kurtit, po i kthehen bumerang Kosovës.

Pacolli tha se pasojat e këtyre veprimeve po i bartin qytetarët e Kosovës.

“Çdo veprim popullist i ndërmarrë nga kjo qeveri, për veriun, ka karakter popullist dhe po i kthehet Kosovës si bumerang, dhe nga ana tjetër policia, institucionet e sigurisë dhe qytetarët po paguajnë pasojat, ashtu siç ndodhi gjithmonë me të gjitha veprimet nga kjo qeveri. Nuk e di ku po e dërgojnë Kosovën”, deklaroi Pacolli për Front Online.

Front Online pyeti Pacollin edhe për mundësinë e një përpilimi të një drafti të Asociacionit nga Kosova.

Ai tha se çdo gjë duhet të bëhet vetëm në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vetëm në koordinim me ShBA-në”, u shpreh Pacolli shkurtimisht për Front Online.

Në takimin që ka pasur sot në mëngjes presidentja, Vjosa Osmani me emisarët, ka thënë se zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të Kosovës mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore.

Përveç Kurtit e Osmanit, zyrtarët ndërkombëtarë kanë takuar edhe liderët opozitarë.

Pas takimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ai I LDK-së, Lumir Abdixhiku para mediave kanë thënë se me situatën aktuale kritike, Kosova po dëmohet.

Shpërndaje në: