Belgjika mbyll kampionatin, cakton edhe skuadrën kampione

Belgjika mbyll kampionatin, cakton edhe skuadrën kampione

Kampionati i futbollit në Belgjikë është anuluar, ndërsa Club Brugge, që po kryesonte në momentin e ndërprerjes së kampionatit, është shpallur kampion.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Ligës së Futbollit të Belgjikës, transmeton Koha.net. Kampionati ishte pezulluar shkaku i koronavirusit.

“Bordi i drejtorëve të Pro League ka mbajtur një video-konferencë të enjten. Pika kryesore ka qenë anulimi i kampionatit shkaku i koronavirusit. Bordi i drejtorëve i ka rekomanduar Asamblesë së Përgjithshme që pjesa tjetër e kampionatit, duke marrë parasysh shëndetin publik, të mos vazhdohet. Bordi i drejtorëve po ashtu ka marrë parasysh rekomandimin e mjekut Van Ranst dhe qeverisë se ka pak gjasa që të rinisë kampionati me publik para 30 qershorit. Situata e tashme po ashtu bën shumë të paqrtë se kur do të fillohen stërvitjet kolektive. Bordi i Drejtorëve me vendim unanim ka këshilluar që të mos vazhdohet gara e stinorit 2019-20 dhe të pranohet renditja aktuale e Jupiler Pro League si përfundimtare. Po ashtu është caktuar një grup punues që do të merret me çështjet sportive dhe ndikimet financiare të këtij vendimi. Mbledhja e përgjithshme është paraparë me 15 prill”, është njoftuar në faqen zyrtare të ligës.

Brugge pas 29 xhirove krijoi një epërsi prej 15 pikëve në krye të Jupiler Pro League. Gent mban vendin e dytë.

Vendimi i bordit të Pro League duhet të ratifikohet në takimin e 24 klubeve të dy rangjeve të para, por 17 prej tyre kanë bërë thirrje javën e kaluar që të anulohet kampionati.

Shpërndaje në: