Benzema vetëm një gol larg rekordit të madh

Benzema vetëm një gol larg rekordit të madh

Karim Benzema është vetëm një hap larg barazimit të rekordit të ikonës së Real Madridit, Raul Gonzalez.

Ish-sulmuesi spanjoll i kishte shënuar 323 gola me fanellën e bardhë për më shumë se 15 vjet si lojtar i ekipit kryeqytetas spanjoll.

Ndërsa, sulmuesit francez i kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund të sezonit për ta barazuar apo edhe kaluar ish-futbollistin e Schalkes.

Aktualisht, favoriti i Topit të Artë për vitin 2022 i ka 322 gola në total.

34 vjeçari i ka realizuar 43 gola në 43 ndeshje këtë sezon deri tash.

Prej tyre, i ka shënuar 26 gola në La Liga dhe 15 në Champions League, ndërsa dy i ka realizuar në Superkupën e Spanjës.

Përfaqësuesi francez e nisi këtë sezon me 279 gola, 11 prapa Santillanas e 29 prapa Di Stefanos, që i zënë pozitat pesë dhe katër.

Mirëpo, sezoni fenomenal e ndihmoi atë që t’i kalojë të lartpërmendurit dhe ta shohë veten në pozitën e tretë aktualisht.

Por, shumë shpejt ai do të bëhet golashënuesi i dytë më i mirë në histori të klubit pasi është shumë afër Raulit.
Megjithatë, ish-futbollisti i Lyonit është shumë larg primatit, të cilin e mban Cristiano Ronaldo.

Ylli portugez i kishte realizuar 450 gola në 438 ndeshje për “Mbretërit” e Spanjës, një rekord praktikisht i pathyeshëm.

Shpërndaje në: