Berisha përshëndet kërkesën e Scholz drejtuar Vuçiq-it për njohjen e Kosovës

Berisha përshëndet kërkesën e Scholz drejtuar Vuçiq-it për njohjen e Kosovës

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar sot pasi kancelari gjerman Olaf Scholz i kërkoi presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq njohjen e Kosovës si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Berisha në një postim në Facebook thotë se dënon reagimet e Vuçiq-it, i cili me politikën që ndjek është faktor kryesor konfliktualiteti në rajon.

“Me gjuhën dhe vendimet prej autokrati serbomadh të cilat e karakterizojnë, ngjashëm me Millosheviqin, Vuçiq theksoi “mos u mërzisni aspak që qëndrimi ynë ndaj Kosovës është krejt i ndryshëm nga juaji. Sikurse ju dëshironi integritetin territorial të Ukrainës, po ashtu edhe serbët duan integritetin territorial të Serbisë”, shkroi Berisha.

Postimi i plotë:

Kërkesa që duhen përshëndetur!

Të dashur miq, vlejnë për t’u vlerësuar dhe përshëndetur kërkesat e bëra dje në Beograd nga kancelari gjerman Scholz, i cili i kërkoi publikisht serbomadhit Vuçiq njohjen e Kosovës si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Në konferencën e tij për shtyp kancelari Scholz tha se “marrëveshja në fund duhet gjithashtu të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën, të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, u shpreh Scholz, duke shprehur kështu për herë të parë haptas qëndrimin e vendit të tij ndaj marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Ndërkohë Vuçiq luajti rolin e të paditurit dhe hipokritit, duke u shprehur se “ne e dëgjuam vetëm sot, për herë të parë, se po kërkohet njohja reciproke. Nuk e kemi dëgjuar kurrë më parë këtë gjë nga Evropa.”

Me gjuhën dhe vendimet prej autokrati serbomadh të cilat e karakterizojnë, ngjashëm me Millosheviqin, Vuçiq theksoi “mos u mërzisni aspak që qëndrimi ynë ndaj Kosovës është krejt i ndryshëm nga juaji. Sikurse ju dëshironi integritetin territorial të Ukrainës, po ashtu edhe serbët duan integritetin territorial të Serbisë.”

Me këtë deklaratë presidenti i serbomadhisë Vuçiq krahasoi ndërhyrjen çlirimtare të NATO-s në Kosovë me pushtimin barbar rus në Ukrainë.

Por kancelari Scholz i bëri fare të qarta qëndrimet dhe kërkesat lidhur me çështjen e Kosovës, sigurinë e paqen në Rajon si edhe luftën në Ukrainë.

Në vizitat e tij në Prishtinë e Beograd, kancelari gjerman nuk la pa përmendur sanksionet ndaj Rusisë. Nga njëra anë ai përgëzoi Kosovën e cila, njësoj si shtetet perëndimore, i është bashkuar ndëshkimit ndaj Moskës. Nga ana tjetër, ai i kërkoi Beogradit të harmonizojë politikat e tij me BE-në, sikurse duhet të veprojë një shtet kandidat për Union.

“Në kohët që po jetojmë, vlera e paqes dhe sigurisë na është bërë më se e qartë sërish; një arsye më shumë dhe e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë një zgjidhje politike dhe zgjidhje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme që kontribuon në stabilitetin rajonal”, tha Scholz.

Duke përshëndetur kërkesat e kancelarit Scholz gjatë vizitës së tij në Beograd, dënoj gjithashtu reagimet e serbomadhit Vuçiq i cili sot, me politikën që ndjek, është faktor kryesor konfliktualiteti në rajon.

Shpërndaje në: