Berisha: Serbia po bën demonstrime me ushtri e tanke, këto janë provokime të kohës së Luftës së Ftoftë

Periskopi.com Lajme

Kryetar i Komisionit për Siguri, Bek Berisha, tha se për aksionin në veri të Kosovës, është një operacion ku po zbatohet një marrëveshje, ku dy palët ishin dakorduar më parë.

“Është duke u zhvilluar një aksion në veri të Kosovës, në territorin tonë është duke u zbatuar ligji, policia e Kosovës mund të lëviz në të gjithë territorin e Kosovës, është një operacion ku po zbatohet një marrëveshje për tabelat e veturave, një marrëveshje që ishin dakorduar dy palët më parë”, tha Berisha.

Berisha në “Sytë shtatë”, në Klan Kosova, tha se KFOR-i është prezent dhe po monitoron se si po rrjedh situata, njofton Klankosova.tv.

“Policia e Kosovës po zbaton ligjin, KFOR-i është prezent në Kosovë, dhe në situata të tilla monitoron dhe shikon se si po rrjedhin, është normale”.

“Për aspektin e sigurisë jemi në përkrahje të shtetit, kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjeve dhe ligjeve në territorin e Republikës së Kosovës, sidomos kur bëhet fjalë për armikun e Kosovës, Serbinë, e cila po bën demonstrime me ushtri e tanke, këto janë provokime të kohës së Luftës së Ftoftë”.

“Mundet një kryeministër me marr edhe një vendim politik para zgjedhjeve lokale, në këtë aventura nuk është mirë që të hyj politika”, tha Berisha.

Lidhur me epilogun e gjendjes në veri, Berisha tha se qytetarët do të kthehen nëpër shtëpitë e veta, kamionët nëpër punë, policia në punën e saj, ndërsa marrëveshja do të zbatohet.

Shpërndaje në: