Berisha: U finalizua me sukses të plotë, ne sollëm në Shqipëri votën e lirë

Berisha: U finalizua me sukses të plotë, ne sollëm në Shqipëri votën e lirë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur në lidhje me Kuvendin e Partisë Demokratike të mbajtur më 30 Prill.

Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se në këtë Kuvend ka folur vota e lirë, si premtimi më solemn për demokratët në Shqipëri.

“Për të paraqitur zhvillimet më të rëndësishme të Kuvendit të PD, një proces që nisi gjysmën e dytë të Shtatorit, u finalizua me sukses të plotë në Kuvendin e datës 30 Prill. Ata që rikujtojnë hapat e parë të kësaj lëvizje, premtimet më të para gjatë saj do të gjejnë se vota e lirë ishte premtimi më solemn që iu bë demokratëve shqiptarë në fillim dhe më pas në mënyrë të përsëritur theksova para tyre se ne sollëm në Shqipëri votën e lirë, ndërkohë Edi Rama dhe për ngjashmëri Lulzim Basha, e përzunë atë nga Shqipëria. Ne do e rikthejmë atë, ky ishte zotimi ynë solemn. Mund të ju them se në ato ditë e deri më sot, PD kaloi procese si kurrë më parë. Kuvende gjigante, referendume të papara, kaloi në zgjedhje në çdo seksion, grupseksion dhe degë dhe së fundmi në Kuvendin e datës 30 Prill ajo bëri zgjedhjet për forumin më të rëndësishëm pas Kuvendit Kombëtar që është Këshilli Kombëtar i PD”.

“Në të gjithë këtë proces ka patur dominim vota e lirë. Ju e keni ndjekur atë, ju nuk gjeni një rast të vetëm që të thotë se nuk ishte i drejtë numërimi i tyre se pata një presion qoftë më të voglin nga sipër për të votuar në këtë apo atë mënyrë. Kjo mendoj unë përbën përmbushjen e një zotimi të një rëndësie themelore jo vetëm për PD, por për shoqërinë shqiptare. Në këtë proces shumëmujor është votuar apo kanë garuar për votim qindra e qindra kandidatura, në mënyrë absolute asnjë prej tyre i sugjeruar, i përzgjedhur apo të themi i emëruar nga instancat e emërme të kësaj partie. Jo vetëm u rikthye vota e lirë në këtë forcë politike, por u arkivua në harresë ajo që quhet kryetarokraci apo presidencokraci. Unë mund të ju them ju se në këtë proces, janë zgjedhur kandidatët më të mirë, janë votuar përfaqësues të shkëlqyer të demokratëve dhe demokratëve dhe si kurrë më parë në historinë e kësaj force, në 8 degë të PD, nga Saranda në Mat kanë fituar në garë 8 zonja të nderuara duke garuar me rivalët e tyre”,ka thënë Berisha./tvklan.al/

Shpërndaje në: