Berlini i dënon sulmet e dhunshme në Veri, ka një thirrje për Kosovën e Serbinë
Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka reaguar për situatën në Veriun e Kosovës, duke dënuar ashpër sulmet e protestuesve serbë ndaj pjesëtarëve të KFOR’it.
Po ashtu, Gjermania ka kërkuar që të de-përshkallëzohet situata në Veri dhe duke kërkuar kthimin e Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve.
Më tutje, MPJ-ja e Gjermanisë, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
”Dënojmë me shprehjet më të forta sulmet e dhunshme të papranueshme në veri të Kosovës pasditen e sotme, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra ushtarëve të KFOR/NATO-s dhe disa civilëve. Mendimet tona janë me të lënduarit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë”.
“Ne bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune dhe të çdo veprimi që ndez tensionet. De-përshkallëzimi tani nevojitet urgjentisht. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në bisedime për këtë qëllim pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, të arritur në shkurt dhe mars, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne mbështesim plotësisht Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák në përpjekjet e tij për të ulur tensionet”, thuhet në kumtesën e MPJ-së gjermane.