Besa Shahini pas dhunës ndaj aktivistëve të PSD-së: Shëndeti i demokracisë në pikën më të ulët

Besa Shahini pas dhunës ndaj aktivistëve të PSD-së: Shëndeti i demokracisë në pikën më të ulët

Ish ministrja e Arsimit në Shqipëri dhe njëkohshëm bashkëshortja e Dardan Molliqajt ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar nga policia ndaj aktivistëve të PSD-së.

Ajo e ka quajtur “absurde” atë që e cilëson si “nevojë të Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë.

Shahini përmendi edhe çështjen e tiketave ngjitëse për të cilat kishte raportuar në vazhdimësi Periskopi, dhe e cila kontratë ishte tërhequr më vonë. Edhe në protestën kundër tiketave ngjitëse që ishte paraparë të kushtonin 5 euro, kishin protestuar aktivistët e PSD-së.

“Shëndeti i demokracisë në Kosovë është në pikën e vet me të brishtë që nga paslufta.” – shkruan znj. Shahini, përcjell Periskopi.

Ajo thekson që “nevoja dhe hapësira për opozitë të re dhe të zëshme po vjen duke u rritur.”

Statusi i plotë:

Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahen dhe arrestuan dhunshëm. Ne korrik ndodhi e njejta, kur Albini nxorri policinë për të mbrojtur një taksë absurde shtesë të regjistrimit të makinave, të cilën e tërhoqi më vonë.

Para kësaj, u organizua një protestë e vogël kunder hipokrizisë së VV-së e cila bëri fushatë të hapur elektorale, të rrezikshme për shëndetin midis pandemisë dhe menjëherë pasi fitoi zgjedhjet vendosi masa të rrepta duke u thirrur në pandemi, që rezultuan në mbyllje biznesesh dhe gjobitje marramendëse të qytetarëve. Protesta u mbyll me dhunë policore, aq në shpërputhje me aksionin e protestuesve, sa nuk ishte parë që nga koha e UNMIK-ut.

Nëse nuk i shuan me dhunë, Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, per ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj.

Shëndeti i demokracisë në Kosovë është në pikën e vet me të brishtë që nga paslufta. E vetmja fije shprese është fakti që nën pushtetet e dhunshme, pashmangshëm rritet e forcohet opozita. Kështu që paradoksalisht, nevoja dhe hapësira për opozitë te re dhe te zëshme po vjen duke u rritur.

Shpërndaje në: