Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen

Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen

Besimtarët e krishterë në Kosovë festojnë sot dhe nesër Krishtlindjen, festën kur lindi Jezusi në Betlehem. Një program për këtë festë e ka publikuar edhe Ipeshkvia e Kosovës.

Fillimisht ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji organizon pritjen solemne në rezidencën e Ipeshkvisë në Prishtinë, pastaj është organizuar një koncert i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës në Katedralen Nënë Tereza dhe në ora 24:00 mbahet mesha solemne e Krishtlindjes në Katedralen Nënë Tereza Prishtinë, të cilën do të udhëheq Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Edhe të nesërmen do të organizohet një mesha në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, pastaj ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, do të kremtoj meshën e Ditës së Krishtlindjes në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren. Një meshë tjetër në gjuhën angleze do të jetë në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.

Sipas kalendarit të krishterë, Krishtlindja është dita e lindjes së Krishtit, djalit të Zotit të dërguar në këtë botë për të shpëtuar njerëzimin nga mëkatet dhe për të bërë paqen mes Zotit dhe njerëzve dhe gjithë njerëzimit së bashku. Jezusi lindi nga Maria në Betlehem.

Lindja e Krishtit, festohet edhe me 7 janar nga Kisha Ortodokse, sipas kalendarit Julian. Kisha evangjeliste, katolike dhe ajo protestante, festojnë në datat 24 dhe 25 dhjetor, sipas kalendarit Gregorian. Kjo festë me ringjalljen e Krishtit (Pashkët) janë dy festat më të mëdha të të krishterëve. /KosovaPress/

Shpërndaje në: