Besnik Tahiri: Gjykata e Hagës e pakuptimtë

Besnik Tahiri: Gjykata e Hagës e pakuptimtë

Në Dhomën e Specializuar të Gjykatës së Hagës sot është zhvilluar seanca e radhës në të cilën është ndryshuar dhe plotësuar aktakuza e rënduar nga prokuroria speciale mbi ish-krerët e UÇK-së.

Lidhur me këtë kryetari i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, foli për ecurinë e procesit të Gjykatës së Hagës, sipas të cilit është një proces absurd.

“Thonë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, ne atje kemi jo vetëm krerët e UÇK-së, por edhe themeluesit e shtetit të Kosovës, Thaçi -kryetar shteti, Krasniqi e Veseli – si kryeparlamentarë, Selimi si ish-ministër e deputet, etj. që po ballafaqohen, sipas meje që kam percjellë gjatë këtë tribunal, padrejtësisht. Dhe kjo gjykatë është e pakuptimtë”, tha ai në RTK.

Tutje ai shtoi se edhe në Starazburg ka folur për absurditetin e funksionimit të kësaj gjykate, e cila, siç tha ai, bazohet në supozimet e Dick Marty-t, të cilin, tani, shërbimi sekret serb e kërcënon me vrasje.

Deputeti Tahiri, duke folur për veprimtarinë ish-krerëve UÇK-së gjatë e pas luftës, theksoi se ata kanë kaluar nëpër shumë sfida tejet të rënda.

“Pavarësisht sfidave, emrat e tyre janë ne gravurat e përjetshme te historisë sonë”, deklaroi Tahiri.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Në seanca të ndara pranë Dhomave të Specializuara, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, por edhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja, që i janë shtuar më 29 prill aktakuzës fillestare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë seancës për paraqitje të mëtejme më 10 maj, Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat sepse kanë qenë shumë të redaktuara, por tha se deklarohet i pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ai, teksa mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Akuzat e reja kanë të bëjnë për krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një qendër ndalimi në Gjilan.

Ndërkaq, në një seancë të ndarë, Veseli po ashtu u deklarua i pafajshëm, duke kërkuar që të nisë sa më shpejt gjykimi.

“I kam lexuar [akuzat e reja], vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të filloj sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh pafajësinë time” para qytetarëve dhe gjykatës, tha Veseli.

Po ashtu, Jakup Krasniqi, i cili ishte fizikisht i pranishëm në sallën e gjykatës, tha se deklarohet i pafajshëm dhe tha se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Gjatë 10 majit, para Dhomave të Specializuara, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, i pyetur për akuzat e ngritura tha se: “Unë jam i bindur se asnjë lloj përgjegjësie nuk e kam për këtë që dëgjuam”.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u ngrit më 26 tetor të vitit 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Shpërndaje në: