Biden i jep mbështetje të plotë Finlandës dhe Suedisë: Jemi me ju në rast agresioni nga jashtë

Periskopi.com Lajme

Pas paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në NATO nga Finlanda dhe Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zotuar që do të jenë pranë dy shteteve në rast agresioni nga një shtet i tretë.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bashkëpunojnë ngushtë me Finlandën dhe Suedinë në rast të një agresioni të jashtëm, që do ta kërcënonte sigurinë kombëtarë të tyre, përderisa aplikacionet e tyre janë nën shqyrtim.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se anëtarësimi i dy shteteve në NATO, “do ta fuqizonte edhe më tej bashkëpunimin tonë për mbrojtje” dhe do t’i sillte beneficione tërë Aleancës.

SHBA-ja është shteti i fundit që ofron mbështetje për dy vendet në rast agresioni. Edhe disa shtete të tjera kanë dhënë garanci të ngjashme për Suedinë dhe Finlandën.

Në javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuara u pajtua për një pakt me dy shtetet nordike, përpara vendimit për të aplikuar për anëtarësim në NATO, një vendim që është marrë në kohën e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.