Biden: Nëse nuk funksionon diplomacia, ka opsione tjera ndaj Iranit

Biden: Nëse nuk funksionon diplomacia, ka opsione tjera ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden i tha kryeministrit izraelit Naftali Bennett se në raport me Iranin ai e ka vënë “diplomacinë në rend të parë” në përpjekjen për të frenuar programin bërthamor të Iranit, por nëse negociatat dështojnë, ai do të ishte i përgatitur t’i drejtohej opsioneve të tjera.

Biden dhe Bennett mbajtën takimin e tyre të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi ishte planifikuar për të enjten (26 gusht) mirëpo ai u shty për të premten për shkak të situatës në Kabul të Afganistanit dhe sulmit vetëvrasës nga militantët e grupit ekstremist Shteti Islamik që la të vdekur mbi 100 persona përfshirë 13 amerikanë.

Biden tha se ai dhe Bennett diskutuan “kërcënimin nga Irani dhe angazhimin për të siguruar që Irani të mos zhvillojë kurrë një armë bërthamore”.

“Ne po e vendosim diplomacinë në radhë të parë dhe do të shohim se ku do të na çojë. Por nëse diplomacia dështon, ne jemi gati t’i drejtohemi opsioneve të tjera”, shtoi Biden, pa ofruar specifika se çfarë parashohin opsionet tjera.

Ndërsa kryeministri izraelit tha se ndjehet “i lumtur derisa dëgjon fjalët se Irani kurrë nuk do të jetë në gjendje të posedojë armë bërthamore”.

“Ju theksuat se do të provoni rrugën e diplomacisë, por ka mundësi të tjera nëse kjo nuk funksionon”, shtoi ai.

Shpërndaje në: