Bideni uron gazetarin rus e gazetaren filipinase për Çmimin Nobel për Paqe

Bideni uron gazetarin rus e gazetaren filipinase për Çmimin Nobel për Paqe

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka uruar gazetarët Dmitry Muratov nga Rusia dhe Maria Ressa nga Filipinet për fitimin e Çmimit Nobel për Paqe.

“Muratov dhe Ressa i kanë ndjekur faktet – pa u lodhur e pa frikë. Ata kanë punuar për ta kontrolluar abuzimin e pushtetit, për ta ekspozuar korrupsionin dhe për të kërkuar transparencë”, thuhet në deklaratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

“Për përkushtimin e tyre ndaj parimeve themelore të shtypit të lirë – parime që janë të pandashme nga demokracia e shëndoshë – ata janë përballur me kërcënime të vazhdueshme, frikësim, masa ligjore dhe madje, në rastin e Muratovit, me vdekjen e kolegëve të tij”, thuhet më tej në deklaratën e presidentit amerikan.

Muratov është njëri nga themeluesit e gazetës “Novaya” më 1993 dhe ka qenë kryeredaktor i saj për 24 vjet, shkruan Radioa Evropa e Lirë, transmeton Gazeta Express.

Komiteti i Nobelit tha se gazeta “Novaya” është gazeta më e pavarur sot në Rusi dhe e ka mbrojtur lirinë e të shprehurit në Rusi në kushte gjithnjë më sfiduese.

Komitetie vlerësoi lart qasjen kritike ndaj pushtetit dhe gazetarinë e mbështetur në fakte e integritetin profesional të gazetës.

Gazeta “Novaya” është përballur me kërcënime, dhunë e vrasje. Që nga themelimi, gjashtë gazetarë i janë vrarë, përfshirë Anna Politkovskaya, e cila raportonte për korrupsionin e nivelit të lartë në Rusi dhe për shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni.

Shpërndaje në: