Biserko: Zgjidhja do të ishte që Serbia ta njeh Kosovën

Biserko: Zgjidhja do të ishte që Serbia ta njeh Kosovën

“Serbia nuk do ta njeh Kosovën deri sa të merr kompenzim në anën tjetër. Dhe kjo gjë do të thotë përçarje në strukturën Euro-atlantike të Ballkanit, dhe me shumë gjasa një konflikt të përtërirë e që mund të ketë karakter edhe më të gjerë”.

Kështu është përgjigjur në një intervistë dhënë për Albanian Post, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Biserko, përkrahësja e madhe e të Drejtave të Njeriut dhe reformave demokratike në Serbi dhe rajon, konsideron se një çarje e tillë në strukturën dhe aspiratat Euro-atlantike të vendeve të Ballkanit dhe një konflikt i përtërirë, siç e quan ajo, i karakterit më të gjerë, “në këtë rast më s’do të kishte të bënte vetëm me Kosovën dhe Serbinë, por edhe me Maqedoninë, Malin e Zi, dhe Bosnjen”

“Këtu, sigurisht, ngritet një pyetje thelbësore mbi vlerat – nëse Evropa pajtohet që kriteri etnik duhet të jetë kriteri kryesor në zgjidhjen e konfliktit. Dhe kjo do të nënkuptonte braktisjen e vlerave mbi të cilat Bashkimi Evropian është mbështetur deri më sot. Dakordimet e Dejtonit, ishin përbrendësisht të gabuara dhe duhet ndreçur”, shpjegon Biserko për Albanian Post.

Pyetur nga AP se si e konsideron se duhet të zgjidhet çështja mes Kosovës dhe Serbisë, Biserko thotë se “zgjidhja është që Serbia të njeh Kosovën dhe të implementojë marrëveshjet që tashmë janë nënshkruar” në mënyrë që “t’i normalizojë jetët e serbëve, shqiptarëve dhe të tjerëve”.

“Nëse s’ka konsolidime substanciale të shtetësive të vendeve të Ballkanit, dhe nëse strukturat Euro-atlantike braktisen, rajoni do të jetë në mënyrë permanente i përçarë në sfera të ndryshme të interesit, e që do të thotë jo-stabilitet i vazhdueshëm”.

“Për më tepër, bota po ballafaqohet me sfida të reja, sfida këto ndaj të cilave as vendet e mëdha s’kanë përgjigje, e lëre më të tjerat. Përgjigjet duhet të jenë të nivelit global, siç na dëshmoi pandemia me COVID. Sfidat e tjera të nxehta, si çështjet klimatike, mjedisore, kapitalizmi i shfrenuar që zgjeron pabarazinë botërisht – të gjitha këto relativizojnë kufijt dhe sovranitetin”, konsideron Sonja Biserko.

Ajo thotë se të gjitha shtetet të dalura nga ish-Jugosllavia qëndrojnë prapa sa i përket këtyre çështjeve madhore.

“Pa hequr dorë nga projektet për shtete të mëdha, pa bashkëpunim rajonal (për të cilin vetëm flasin), rajoni do të mbetetet në periferi e pa asnjë relevancë (gjë që edhe është)”, shpjegon ajo.

Serbia dhe qasja e saj ndaj Malit të Zi

Qasje problematike Serbia nuk ka vetëm ndaj Kosovës, shpjegon Biserko, por edhe në rajon.

Për zhvillimet e fundit në Mal të Zi, me rastin e fronësimit të Mitropolitit Joanikije në Cetinë, ajo thotë se “është vazhdimësia e politikës serbe në rajon”.

“Serbia nuk ka hequr dorë nga aspiratat e saj. Ajo tashmë po i realizon ato përmes mjeteve tjera. Dëshira për dominim është ende shumë e fortë. Për më tepër, Beogradi beson se konteksti ndërkombëtar është i favorshëm për ta për veprime të këtilla ofansive si kjo që ndodhi në Mal të Zi”.

Rënia nga pushteti e partisë së Presidentit të Malit të zi, Millo Gjukanoviç (DPS), në sy të Serbisë është një mundësi e mirë për “një Mal të Zi më ndryshe”, konsideron ajo.

“Beogradi qëllimisht ka organizuar kurorëzimin në Cetinë në mënyrë që promovojë agjendën rajonale të Serbisë, dhe kështu të vë në pikëpyetje sovranitetin dhe identitetin e Malit të Zi”, gjykon Biserko.

Ndërsa përmes këtyre veprimeve, sipas saj, Serbia me nguti po largohet nga vlerat kyçe të BE-së dhe NATO-s, po shkatërron konceptin e të qenit qytetar, po rrënon sekularizmin dhe po synon që Malin e Zi ta bëjë “provincë të Botës serbe”.

“Por, sido që të jetë”, shprehet Kryetarja e Komitetit të Helsinkit, “Serbia, me sjellje të këtillë, vetëm sa e fuqizon edhe më shumë identitetin malazias”.

“Përtej asaj që situata aktuale është shumë e mjegullt, sjellja e Beogradit vetëm sa e thellon mosbesimin ndaj të tyre në rajon, dhe në të njëjtën kohë rrezikon dhe sakrifikon të gjithë serbët jashtë Serbisë”.

Vendet perëndimore – pasive ndaj zhvillimeve në Mal të Zi

Biserko shpjegon se parimi më i qartë i politikës perëndimore sa i përket religjionit dhe shtetit është sekularizmi, se në politikat e jashtme të Perëndimit çështjet e fesë asnjëherë nuk lidhen me politikën. Por se ata nuk po arrijnë të kuptojnë me kohë një gjë.

“Ata janë të vonshëm sa i përket të kuptuarit se Kisha Ortodokse Serbe paraqitet eksluzivisht si institucion politik, shumë pak shpirtëror, dhe se ajo është në funksion të politikës së jashtme serbe karshi fqinjëve të saj”, tregon ajo.

“Deklarimet e vendeve të QUINT-it ishin jo-adekuate, tregonin se u mungon të kuptuarit e situatës, dhe veçanërisht atë se Serbia e trajton Malin e Zi si një territor, dhe se aktorët kryesorë të kësaj krize janë Kisha Ortodokse me mbështetjen e forcave të sigurisë të Serbisë, dhe sigurisht, Rusia. Rusia veproi në një formë shumë të sofistikuar kësaj here – përmes kishës”.

Sonja Biserko thotë se fakti se Mali i Zi është anëtare e NATO-s është një hap shumë i madh para por se “Serbia dhe Rusia po e testojnë se sa larg mund të shkojnë në sfidimin e BE-së, ShBA-së, dhe veçanërisht NATO-s”.

Uniteti Trans-Atlantik pas tërheqjes së ShBA-së në Afganistan

Tërheqja “kaotike e ShBA-së” nga Afganistani, thotë Biserko, e ka dëmtuar reputacionin e saj, dhe ka vënë në dyshim “së paku për një kohë”, ndikimin dhe legjitimitetin e një pushteti global.

“Veçanërisht dëmtuese ishte fakti që nuk u konsultuan me partnerët e tyre të koalicionit dhe nuk siguruan një dalje të sigurtë nga vendi për ata njerëz të cilët mund të jenë të kërcënuar për faktin se kanë bashkëpunuar me to”, shpjegon ajo për Albanian Post.

Shumë analistë botërorë e konsiderojnë këtë si fundi i dominimit amerikan, por ajo thotë se situata është më e komplikuar.

Andaj, konsideron ajo, se “situata është shumë më e ndërlikuar sepse largimi i Amerikës ka hapur një problem për Kinën dhe Rusinë, dhe të gjithë vendet fqinje. Piktura gjeopolitike e botës ka ndërruar në mënyrë të konsiderueshme”.

“Nga këndvështrimi i ShBA-së, largimi nga Afganistani është vendimi i duhur strategjik. Sigurisht se kjo nuk nënkupton fundin e Shteteve të Bashkuara si superfuqi globale, por vetëm një rënie relative dhe e ngadalshme. Ripërqendrimi i Amerikës te Kina sigurisht se do të forcojë aleancën Trans-Atlantike”, shpjegon Biserko.

Skena politike në Evropën post-Merkel

Largimin nga skena politike të Kancelares gjermane, Angela Merkel, Biserko nuk e konsideron ndonjë ndërrim kursi të politikës gjermane karshi vendeve të rajonit.

“Largimi i Merkelit nga skena politike jam e sigurtë se nuk do të ndryshojë asgjë të politikës gjermane në drejtim të rajonit. Përkundrazi, besoj se vetëm sa do të rritet. Udhëtimi lamtumirës i Merkelit, përfshirë Ballkanin, duket të jetë një rishikim i trashëgimisë së saj. Ajo gjithsesi se do të mbetet një figurë me ndikim politik jo vetëm në Gjermani, por edhe në BE”, përgjigjet Sonja Biserko.

Rusia dhe Ballkani

Rusia, thotë ajo, sigurisht se në Ballkan gjithnjë vepron si faktor destabilizues.

“Rusia në mënyrë propagandistike e ka përdoru largimin kaotik të Amerikës nga Afganistani, për të deklaruar se demokracia ideale perëndimore nuk është universale. Por, se edhe Rusia edhe Kina duhet në fakt të jenë të shqetësuara për Afganistanin post-amerikan”, thotë ajo.

Ndërsa thotë edhe se mos-angazhimi i Perëndimit në Ballkan i ka lënë shumë hapësirë Rusisë të manovrojë, por edhe elitat e dobëta politike të Ballkanit.

“Vetëm një politikë serioze e Perëndimit mund ta integrojë Ballkanin Perëndimor në hapësirat evropiane të cilave edhe objektivisht u përket”, përfundon Sonja Biserko për Albanian Post.

Shpërndaje në: