Bislimi: Nuk e sakrifikojmë sovranitetin për hir të interesave të ndërkombëtarëve

Bislimi: Nuk e sakrifikojmë sovranitetin për hir të interesave të ndërkombëtarëve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova nuk mund të lëshojë pe në raport me Serbinë, “për hir të interesave të ndërkombëtareve”.

Sipas Bislimit, ndërkombëtarët po synojnë që ta heqin Serbinë nga ndikimi i Rusisë, dhe për këtë po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që ta sakrifikojë sovranitetin.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të thotë që për hir të interesave të ndërkombëtarëve që Serbia të largohet nga orbita ruse, ne sakrifikojmë sovranitetin tonë, ne nuk do të ishim qeveri që meriton të jetë në qeveri”, ka deklaruar Bislimi në KTV.

Tutje, Bislimi tha se nëse ndërkombëtarët kanë vullnet që ta ndëshkojnë Kosovën, kjo do të bëhet pavarësisht vendimeve të Qeverisë Kurti.

“Ne po themi në qoftë se ka vullnet të bashkësisë ndërkombëtare për t’i vendosur masa ndëshkuese Kosovës, ato do i vendosen pa marrë parasysh vendimeve tona”, ka deklaruar Bislimi.

Hiç më larg se dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i akuzoi emisarët perëndimorë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, për anshmëri në çështjen e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Kurti tha se të dy emisarët perëndimorë po “vinë me kërkesa nga pala tjetër”. I njëjti tha se marrëveshja po dështon së zbatuari si pasojë e qasjes destruktive nga pala serbe.

Ndërkohë, siç ka raportuar REL, si pasojë e të mos pasurit progres në implementimin e marrëveshjes për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë shtyrë mbajtjen e konferencës së donatorëve.

Teksti i marrëveshjes parashikonte organizimin e konferencës së donatorëve 150 ditë pas arritjes së marrëveshjes, me qëllim krijimin e një pakoje financiare për Serbinë dhe Kosovën, por pagesa do të bëhej vetëm pasi të konstatohej se të gjitha pikat e marrëveshjes janë zbatuar.

Shpërndaje në: