Bislimi tregon katër pikat e Pakos, dhe se kush janë saktë përfituesit

Bislimi tregon katër pikat e Pakos, dhe se kush janë saktë përfituesit

Ministri në largim i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka sqaruar pikat e Pakos përmes të cilave përfiton pjesa më e rrezikuar e vendit.

Bislimi tha se Brenda 1 viti ekonomia e Kosovës mund të stabilizohet.

“Janë katër pika ku grupet më të rrezikuara mund të përfitojnë. Pika 1.1 ka të bëjë me skemat sociale. Përfitojnë 98 mijë qytetarë. U kemi dyfishuar pagesat mujore për tre muajt e ardhshëm. Në qershor nëse situata stabilizohet, prapë do të jetë rritje të pagesave mujore për 20-25 për qind, pasi vlerësojmë se janë tejet të vogla”, tha Bislimi.

Pika tjetër e ndihmës për më të prekurit ka të bëjë me skemat pensionale.

“Pika 1.2 ka të bëjë me skemat pensionale, pensioni mujor i atyre që është më pak se 100 euro në muaj. Kemi paraparë pagesë shtesë mujore prej për 30 eurosh për tre muaj, Janë ndarë 13 milionë euro për këtë dhe nga kjo skemë përfitojnë 165 mijë persona. Pastaj është pika 1.9 që ka të bëjë me grupet e margjinalizuara, si komunitetet rome, egjiptiane e ashkali. Do t’u ndihmojmë me pako ushqimore dhe të tjera, por mund të ketë edhe grupe të tjera që kanë nevojë, si komuniteti boshnjak në veri të Kosovës për shembull”.

Pika e katërt që ka të bëjë me ndihmë direkte për qytetarët është për ata që punojnë herë pas here.

“Në pikën 1.15 jemi munduar të përfshijmë punëtorët që punojnë në mënyrë sporadike dhe tash për shkak të situatës në të cilën që ndodhemi nuk mund të punojnë. Përfitojnë 130 euro në muaj. Nëse pas 3 muajve s’kanë të ardhura tjera, kalojnë në pikën 1.1 të skemës sociale”. Ka shtuar Bislimi në “Desku”.

Ai ka thënë se këtë krizë ka pak përfitues, e shumë humbës, por kjo është aftësia e Kosovës.

“Ne i kemi ndihmuar sektorit privat për shkak të rënies se aktivitetit. Sektori privat ka pengesa në mbulimin e pagave, për këtë kemi siguruar pagën minimale për punëtorët, pastaj pagesën e 50 për qind të qirave të bizneseve, obligimet tatimore i kemi shtyrë deri në muajin shtator. E kam obligim me siguri stabilitet makro-ekonomik”, ka thënë ai.

“Brenda 12 muajve ekonomia mund të kthehet dhe të stabilizohet”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: