Bizneset kërkojnë nga qeveria reagim emergjent në mbrojtjen e tyre

Periskopi.com Lajme

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) mbajti takim virtual me bizneset anëtare për të diskutuar lidhur me sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar si rezultat i pandemisë dhe propozimet për pakon e rimëkëmbjes, vonesa e të cilës i ka shkaktuar dëme të mëdha bizneseve dhe të punësuarve të tyre edhe ashtu të rënduar nga situata pandemike.

Gjatë këtij takimi u prezantuan disa nga pikat për të cilat u dakorduan bashkërisht që duhet te jenë të përfshira në pakon për rimëkëmbje ekonomike, e cila do të kontribuonte në tejkalimin e kësaj situate.

Avni Haliti nga biznesi Intersoft A Computers theksoi sfidat me të cilat është duke u përballur si biznes gjatë kësaj periudhe, ku edhe pse nuk e kishte të ndaluar ushtrimin e veprimtarisë nga ana e institucioneve problem ishte izolimi duke rezultuar në mungesë të klientëve. Gjithashtu Haliti theksoi rëndësinë e komunikimit të ngushtë në mes institucioneve dhe bizneseve në mënyrë që pakot të jenë sa më të mira dhe të tejkalohet kjo situatë me sa më pak dëme. Kritikat nuk munguan as për ekzekutimin e pakos së parë, e cila kishte shkaktuar pakënaqësi të shumta.

Arber Halilaj përfaqësues nga biznesi R&Rukolli theksoi që recesioni ekonomik pas pandemisë është i pashmangshëm, e madhësia e të cilit do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë në Evropë dhe mënyra e hapjes së ekonomisë. Gjendja e shkaktuar nga pandemia ka prekur njëkohësisht ofertën dhe kërkesën. Duke listuar dëmet që i janë shkaktuar këtij biznesi në veçanti, Halilaj shpalosi disa propozime post covid, e të cilat përfshijnë: riprogramimin e kredive për së paku edhe 3 muaj të tjerë, subvencionimi i shpenzimeve operative për bizneset, shteti të zhvillojë një program të garantimit të huasë përmes Fondit të garancisë kreditore, rëndësia e unifikimit të tregut shqiptar, përmes heqjes së të gjitha pengesave e barrierave tarifore apo jotarifore, duke e stimuluar kështu rritjen e eksportit dhe prodhimit si dhe aspekti i implementimit teknik të masave të rimëkëmbjes së bizneseve të jetë sa më i thjeshtësuar tha ndër të tjera Halilaj.

Artan Qenaj nga Furra e bukës Saranda theksoi rënien rreth 80% të të hyrave, meqë kishte rënie të klientëve si pasojë e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve përderisa biznesi punonte në orar të zgjatur. Gjithashtu kritika kishte edhe për kompensimin e stafit për kategorinë e 100 eurove shtesë, nga të cilat kanë përfituar vetëm punëtorët në shërbim dhe jo edhe ata në prodhim, dhe në lartësinë vetëm 80 euro.

Vigan Salihu nga Scan Color Jysk theksoi se ende ka shumë paqartësi sa i përket ekzekutimit të pakos së parë lidhur me subvencionimin e pagave për të punësuarit në shumën prej 170 eurove dhe kompensimin e qirave, andaj theksoi se është e domosdoshme që pako e rimëkëmbjes të jetë lehtë e aplikueshme dhe të insistohet që të jetë shumë më e qartë.

Sa i përket pakos së rimëkëmbjes theksoi rëndësinë e ofrimit të kredive afatgjata dhe me grejsperiudhë së paku një vit, me 0 % interes, e cila do të ndihmonte bizneset. Subvencionimi i interesave për shtyrjet e kredive që janë bërë paraprakisht, të paktën në një masë të caktuar do të lehtësonte bizneset në tejkalimin e kësaj situate.

Fatos Xhemajli nga eConnect theksoi që si biznes kanë funksionuar mirëpo klientët e tyre kanë qenë të mbyllur gjatë kësaj kohe. Xhemajli theksoi rëndësinë e të qenurit të unifikuar dhe insistues në kërkesat e tyre në mënyrë që bashkërisht të tejkalojnë këtë periudhë.

Gezim Selimi nga Industria e Mishit Calabria theksoi rëndësinë e përkrahjes së prodhuesve vendor dhe konsumit të produkteve të tyre, duke reduktuar tvsh-në për 10%. Gjithashtu kërkoi që ekzekutimi i pagesave nga rrjeti i marketeve duhet të bëhet në periudhë më të shkurtër në mënyrë që podhuesit të operojnë pa vështirësi.

Besfort Berisha nga biznesi AMC, i cili merret me dhënien me qira të pajisjeve për organizim të eventeve, festivale, dasma e të ngjashme të fushës së argëtimit, si shqetësim shpalosi faktin se kompanitë e këtyre shërbimeve kanë afekt shumë të madh meqë eventet janë ndalë dhe janë shtyrë për vitin tjetër e shumë festivale janë anuluar komplet. Kjo do të thotë që gjatë një viti do të ndikojë në reduktim të stafit dhe mosgjenerim të të hyrave gjatë kësaj periudhe, andaj së paku për ruajtjen e stafit profesional është e domosdoshme ofrimi i kredive për mbulimin e pagave të stafit. Ky problem nuk ndikon vetëm tek kompanitë por edhe tek kontraktorët. Po ashtu kreditë që kanë ky sektor, është e domosdoshme që të shtyhen për një vit të plotë pasi që këto kompani nuk kanë si të kthejnë mjetet nëse nuk arrijnë të paktën një sezonë të plotë të funksionojnë dhe gjenerojnë të hyra sipas planifikimeve, meqë natyra e tyre është aktiv kryesisht në muajt e verës.

OAK duke u bazuar në kërkesat e drejtpërdrejta të bizneseve ka përgatitur dokumentin me propozimet në mënyrë që pako e rimëkëmbjes të jetë një pako e mirëfilltë që do t’i dalë në ndihmë biznesit.

Shpërndaje në: