Bjeshkët e Nemuna i bërtasin ashpër popullit të Kosovës. Nuk jemi të nemuna, jemi të bekuara

Bjeshkët e Nemuna i bërtasin ashpër popullit të Kosovës. Nuk jemi të nemuna, jemi të bekuara

Besarta Hoti

Kosova është mes shteteve më të vogla në Evropë, e megjithatë edhe brenda territorit të saj të vogël ekzistojnë atraksione magjepsëse turistike.

Bjeshkët e Nemuna!

Turizmi malor është turizmi kryesor i Republikës së Kosovës me të cilën mund të shtyhemi, edhe me vendet tjera të rajonit.

Fshatrat që shtrihen në ato që njihen si Bjeshkët e Nemuna janë në fakt të bekuara. Ato përveç bukurive natyrore njihen edhe për ruajtjen e kulturës dhe traditës.

Në këto Bjeshkë u stacionua një pjesë e madhe e kryengritjeve shqiptare përgjatë shekujve të kaluar.

Por, t’i kthehemi fshatrave të Bjeshkëve. Ndër këto fshatra është edhe Drenoci, i njohur si “fshat kullash”.

Ky fshat i vogël sa troha i ka gjithsej 11 kulla. Banorët thonë që para lufte madje ishin 30 sosh.

Lidhja e banorëve me kullat është aq e madhe sa ato ende ruhen me dashuri e nostalgji, por jo vetëm.

Jo vetëm sepse ato shfrytëzohen edhe për pazar. Ta zëmë, disa po i shfrytëzojnë për akomodim të turistëve të cilët janë të interesuar për të përjetuar më shumë traditën dhe kulturën malësore shqiptare.

E brenda kullës të kapë ufma sepse natyrisht kjo është fjalë kullë por edhe sepse nuk ka klimë. Sidoqoftë, kjo është thjesht një pjesë tjetër e lezetit.

Banorët shërbejnë ushqime tradicionale, e krahas ushqimeve edhe sjelljet autoktone të banorëve. Me fanatizëm të madh ruhen edhe veshjet por edhe gjërat tjera tradicionale. Po bëjmë fjalë për djepin, maxhen, qilimat e të tjerë e të tjerë. Pra, kemi të bëjmë me një muze të gjallë.

 

 

Njëra prej këtyre kullave është ajo e “Mazrekajve” që u ndërtua para hiç më pak se 300 vitesh nga të ashtuquajturit dibranë.

Kulla në fjalë është restauruar dhe është shndërruar në bujtinë dhe qendër kulturore për vizitorët. Kulla e “Mazrekajve” është ndër më të vizituarat në vend.

I madh e i vogël merr ndjesinë sapo futet brenda se si ishte jeta nëpër kulla.

Një zonjë e Mazrekajve që na i çeli dyert e kësaj kulle na tha se më së shumti vizitorë i vinin nga Amerika.

Ajo deklaroi se vizitorëve u ofrohet “fli, pite, kos e djath”.

Ardhja e vizitorëve në fshat e ka rritur edhe numrin e grave të punësuara kur dihet se në Kosovë 80 për qind e grave janë të papuna.

Vizita në Deçan është e pakuptimtë nëse nuk vizitojmë edhe Manastirin e Deçanit. 

Manastiri i Deçanit që ka një histori të jashtëzakonshme që nis në shekullin 13 ofron po ashtu pamje mahnitëse me afreskat e mrekullueshme që ndodhen në brendi.

Vlen të theksohet se Manastiri i Deçanit është në listën e trashëgimisë kulturore në UNESCO

Në këtë zonë ne vizituam Alpet Shqiptare. Ose të ashtuquajturat Bjeshkë të Nemuna.

Fillimisht u ndalëm te “Përroi i Bjeshkës së Belegut dhe Prilepit”.

Ky përrua vazhdon të mbajë gjallë e të freskojë këtë anë. Ai vjen prej trekëndëshit Mali i Zi-Shqipëri-Kosovë, sipas një banori më të vjetër të kësaj ane me emrin Isuf.

Por, bukurisë natyrore i shtohet edhe bukuria kulturore e staneve. Në një anë rrjedha të ujërave të pijshëm çdo dhjetë metra, e në tjetrën stanet e bukura për fjetje, cicërim zogjsh e blegërima delesh. Sa e kundërt me Prishtinën e kontejnerëve të bërllokut dhe asfaltit që të pengon frymëmarrjen si ufma në verë.

Bjeshkët përbëhen nga më shumë se 40 vargmale të pasura, lugina e pjerrët, gryka e kanione. Ato e bëjnë Kosovën qendrën kryesore të biodiversitetit në Ballkan dhe një nga 16 qendrat e biodiversitetit turistik të Evropës.

Vend i bekuar për të gjithë turistët, qoftë për turizëm dimëror, apo edhe veror.

Ato veçmas kanë qenë fokus interesi për vlerat e larta gjeo-morfologjike, hidrologjike, faunistike, peizazhore e turistike.

E pasuri e tërë këtyre bjeshkëve qëndron edhe tek bimët shëruese që ka kjo zonë. Sipas banorëve të Prilepit, ka disa bimë që shfrytëzohen nga  shumëkush që ka telashe me frymëmarrje.

Bimët që karakterizojnë këtë zonë, janë: çaj mali, boronica, gështenja, dhe shumë bimë tjera shëruese.

]

Bjeshkët e Nemuna duket se nëmin të gjithë ata kosovarë që nuk i vizitojnë ato. Për atë arsye, ndoshta emri që do t’i shkonte më shumë do të ishte “Bjeshkët e vizitorëve mungues kosovarë të nëmur”.

E tërë ky udhëtim mbresëlënës u mbyll me pirjen e kafesë në Çarshinë e madhe të  Gjakovës, vend ky i cili dikur kishte diku 500 dyqane zejtarësh, por të cilat sot janë shndërruar në kafene për të gjitha ata që dëshirojnë të vizitojnë këtë çarshi.

Dhe në fund, thirrje për të gjithë -Vizitoni-“Bjeshkët e bekuara” të Kosovës.

 

 

 

 

Shpërndaje në: