Blaka i AAK-së, Bytyçit: Eja në Aleancë, ta dhurojmë programin tonë në tërësi, i mangët veç ai i rimëkëmbjes

Periskopi.com Lajme

Në fillim të muajit janar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka paraqitur planin e saj prej 1 miliardë euro, për të kaluar nga kriza ekonomike në të cilën gjendemi pas situatës me Covid-19.

Sipas zëdhënesit të AAK-së Lulzim Blaka, këtë model e kanë kopjuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Në një reagim në profilin e tij në facebook, Blakaj thotë se zëdhënsi i PDK-së, duke mos pasur të dhëna më shumë, thirret se partia e tij, është e vetmja parti që ka një plan prej 1 miliardë euro, për ta kaluar këtë gjendje jo të mirë ekonomike.

‘Idenë e fondit 1 miliardësh për ekonominë, Aleanca e ka paraqitur me 4 janar 2021 dhe u kopjua të paktën nga një parti politike, deri më tani. E them kështu sepse presim të kopjohet edhe nga të tjerët’, ka shkruar Blaka në Facebook.

Më tej Blaka i ka thënë Bytyçit që Aleanca e ka publikuar sot programin e plotë i cili bazohet në 4 shtyllat e mëposhtme.

‘Po e informoj zëdhënësin e PDK-së, z. Bytyçi se Aleanca sot ka shpalosur programin e plotë zgjedhor i cili është i strukturuar në 4 shtylla si më poshtë:

1. EKONOMIA – Shtylla e parë garanton rimëkëmbje dhe zhvillim të përshpejtuar ekonomik. E konceptuar në dy nënshtylla: “Pakoja e Rindërtimit” dhe “Aleanca për Zhvillim” kjo ofertë programore paraqet përmbledhje të masave dhe politikave ndërhyrëse të cilat në njërën anë i përgjigjen çështjeve urgjente e akute me të cilat ballafaqohemi aktualisht si ekonomi, si pasojë e pandemisë, ndërsa në anën tjetër shtrojnë rrugën që të kalojmë nga rimëkëmbja e ekonomisë së dërmuarr në zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik.

2. SIGURIA DHE SHTETI I SË DREJTËS – shtylla e dytë, ofron garancë për funksionimin e shtetit të sigurtë e të mbrojtur në përputhje me ligjet si dhe siguron Sundim të fortë të Ligjit që është prioritet kryesor i qeverisjes nga Aleanca.

3. MIRËQENIA – si shtyllë e tretë, ngërthen në vete politikat e veprimet që synojnë përparimin, përmes zhvillimit të shëndetësisë e arsimit, mbrojtjes së mjedisit, përkrahjes së qytetarëve dhe krijimin e harmonisë për një jetë të dinjitetshme dhe prosperuese.

4. POLITIKA E JASHTME – shtylla e katërt është e kornizuar si reflektim i nevojave të vendit, në funksion të fuqizimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, njohjeve të reja, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare si dhe forcimit dhe thellimit të marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë: ShBA si dhe vendet e tjera aleate. Në kuadër të kësaj shtyllë theks të veçantë i kemi dhënë anëtarësimit të Kosovës në NATO me përshkrim të saktë të politikave dhe veprimeve që do të ndjekim për të siguruar anëtarësimin e Kosovës në NATO.

E ftoj zëdhënësin e PDK-së të na vizitojë në Aleancë dhe me respektin më të madh do t’ia dhuroj Programin Zgjedhor 2021-2025, sepse iu hyn në punë edhe për tema të tjera, të cilat në mënyrë të detajuar specifikojnë politikat dhe veprimet që sigurojnë zhvillim dhe avancimin e shtetit tonë të përbashkët. p.s. E sa i përket Referendumit, flasim me 2025’, ka përfunduar Blaka.

Shpërndaje në: