Blici: Sonte takohen Përparimi dhe Urani për koalicion, gjërat s’janë aq afër

Blici: Sonte takohen Përparimi dhe Urani për koalicion, gjërat s’janë aq afër

Nesër (e mërkurë), Kuvendi Komunal i Prishtinës, do të mblidhet qysh në mëngjes. Në rend të ditës është vetëm një pikë: zgjedhja e kryesuesit, raporton Gazeta Blic.

Për t’u mundësuar zgjedhja e kryesuesit, Lidhja Demokratike e Kosovës, duhet të arrijnë koalicion: ose me Lëvizjen Vetëvendosje, ose me Partinë Demokratike të Kosovës.

Tashmë dihet që partia e Albin Kurtit, e ka përjashtuar çdo bashkëpunim me LDK-në në Prishtinë. Rrjedhimisht e vetmja mundësi është të arrihet koalicion me PDK-në e Memli Krasniqit.

Por, Gazeta Blic, merr vesh se tashmë janë larg mundësisë për të pasur koalicion mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë.

Zyrtarë të lartë brenda këtyre dy partive, kanë bërë të ditur se sipas të gjitha gjasave, nuk do të arrihet marrëveshje mes tyre.

Mirëpo, ata nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të ndodhë diçka e madhe sonte, ani pse janë shumë skeptikë.

“Jemi shumë larg. Nuk e besoj që do të mund të ketë koalicion. Kemi mospajtime të mëdha, realisht”, tha një zyrtar i LDK-së në kushte anonimiteti.

Njejtë deklarojnë edhe ata të PDK-së, ani pse e shohin një dritë në fund të tunelit.“Sonte do të ketë takim mes Uranit (Uran Ismaili) dhe Përparimit (Përparim Rama). është e vërtetë që gjërat janë larg, por te shohim çka do të ndodhë”, tha zyrtari i PDK-së.

Shpërndaje në: