Blinken në Kiev: ShBA rrit ndihmën ushtarake për Ukrainën

Blinken në Kiev: ShBA rrit ndihmën ushtarake për Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin për të zgjedhur “rrugë diplomatike dhe paqësore”, teksa diplomati i lartë amerikan viziton Ukrainën, në kohën e shqetësimeve se Rusia mund të pushtojë këtë republikë ish-sovjetike.

“Unë besoj shumë fuqishëm se mund të mbajmë këtë çështje në nivel diplomatik dhe paqësor, mirëpo kjo gjë do të jetë në dorën e presidentit Putin”, ka thënë Blinken pas takimit me stafin e Ambasadës amerikane në Kiev më 19 janar.

“Ne e dimë se ka plane për të rritur numrin e forcave edhe më shumë në një periudhë të shkurtër, dhe kjo gjë i jep kapacitet presidentit Putin që për një periudhë të shkurtër të çojë përpara agresionin kundër Ukrainës”, ka paralajmëruar ai.

Më herët, një zyrtar i lartë amerikan, ka thënë se administrata e presidentit Joe Biden ka miratuar muajin e kaluar 200 milionë dollarë shtesë si ndihmë për sigurinë në Kiev, duke thënë se Uashington mbetet “i përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Zyrtari, i cili ka folur në kushte anonimiteti, nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e paketës së ndihmës.

Blinken është takuar në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i cili ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për rritje të ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës në këtë “kohë të vështirë”.

Si përgjigje ndaj informatës për ndihma, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos furnizojë Ukrainën me armë, derisa situatën rreth sigurisë në Evropë e ka konsideruar “kritike”, ka thënë agjencia e lajmeve Interfax.

Më 20 janar, Blinken niset drejt Berlinit, për të biseduar me zyrtarë të Perëndimit rreth unitetit në këtë çështje.

Më 21 janar, diplomati i lartë amerikan do të takohet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov në Gjenevë.

Të dy kanë folur përmes telefonit më 18 janar.

Meqë Rusia ka mbledhur rreth 100,000 trupa afër kufirit me Ukrainën dhe një numër forcash për stërvitje të shpejta në Bjellorusi, Perëndimi është i alarmuar për rrezikun e një konflikti të ri.

“Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme. Ne jemi në një pikë kur Rusia mund të sulmojë Ukrainën në çdo çast”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki para gazetarëve më 18 janar.

ozicionimi i forcave të Rusisë afër kufirit me Ukrainën dhe në rajonin e aneksuar të Krimesë, përbën një prej pozicionimeve më të mëdha të forcave ruse prej marsit të vitit 2014, kur Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas.

Rusia është duke mbështetur edhe luftëtarët separatistë në luftën që vazhdon në lindje të Ukrainës prej vitit 2014.

Prej atëherë kanë vdekur më shumë se 13,200 njerëz.

Moska ka mohuar planet për sulmin ndaj Ukrainës dhe ka akuzuar NATO-n se po planifikon të pranojë këtë vend si anëtare të aleancës, si dhe pritet të vendosë armatim për sulm atje.

Javën e kaluar, diplomatët rusë janë takuar me zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe kombet evropiane, për të diskutuar kërkesat e Moskës, të cilat nënkuptojnë ristrukturim të arkitekturës së sigurisë në Evropë.

Shpërndaje në: