Boikeni i VV-së habitet: Abetarja e përbashkët paska ekzistuar

Boikeni i VV-së habitet: Abetarja e përbashkët paska ekzistuar

Në mbledhjen e fundit të përbashkët Shqipëri-Kosovë, qeveritë e të dy vendeve thanë se ranë dakord për të krijuar një Abetare të unifikuar për nxënësit nga jugu deri në veri të të dyja shteteve shqipfolëse. Megjithatë kjo abetare e përbashkët mes dy vendeve nuk është një iniciativë e re për të unifikuar librin e parë shkollor. Kjo abetare e unifikuar për Kosovën dhe Shqipërinë ekziston që në vitin 2012, shkruan Periskopi.

Boiken Abazi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka bërë një status në profilin e tij në Facebook ku ka mbetur i habitur që një abetare e tillë ka ekzistuar prej 10 vitesh.

Çfarë ndodhi me Abetaren e përbashkët të vitit 2012?

Në vitin 2012, në një ceremoni festive në Prizren, dy kryeministrat e asaj kohe, Sali Berisha i Shqipërisë dhe Hashim Thaçi i Kosovës, promovuan një abetare të unifikuar. Sikurse sot, qëllimi i kësaj abc-je për fëmijët ishte që të mësohej si tekst i vetëm nga nxënësit e klasës së parë të të dyja vendeve.

Më 17 nëntor ish-kryeministri Berisha e quajti promovimin e Abetares së përbashkët si momentin më të rëndësishëm historik të kombit shqiptar.

Edhe ish-kryeministri kosovar Thaçi, tha se Abetarja e përbashkët është libri bazë dhe më i rëndësishëm i kulturës dhe arsimit në gjuhën shqipe. Krijimin e Abetares së përbashkët ai e ka quajtur “arritje historike”.

​“Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot po e prezantojmë për herë të parë Abetaren e përbashkët të shqiptarëve, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kjo është e arritur historike. Është Abetarja e parë e përbashkët, e bashkautorëve nga Shqipëria dhe Kosova”, ka thënë ish-kryeministri Thaçi.

Ai ka theksuar se promovimi i Abetares së përbashkët ka ndodhur jo rastësisht në qytetin e Prizren, duke e quajtur këtë të fundit si kryeqytet shpirtëror të shqiptarëve.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pati thënë se kombi shqiptar nuk ka qenë kurrë më i bashkuar dhe më i sigurt se sa tash, në kohën kur edhe u promovua Abetarja e parë e përbashkët.

“Abetarja është margaritari i kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t’i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të dashur fëmijë, Abetarja ju dorëzohet juve, sot, pas 160 vjet përpjekjesh mbinjerëzore për liri dhe dinjitet të shqiptarëve”, është shprehur ish-kryeministri Berisha.

Çfarë përmban Abetarja e vitit 2012

Teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë ishte përzgjedhur më 24 prill të vitit 2012.

Kjo Abetare ka katër bashkë-autorë, Shezai Rrokajn dhe Mimoza Gjokutajn nga Shqipëria, si dhe Islam Krasniqin dhe Saranda Kumonova-Pozhegun nga Kosova.

Ky tekst botohet nga një shtëpi botuese e Kosovës dhe një shtëpi botuese e Shqipërisë.

Abetarja e përbashkët ishte realizuar me nismën e dy ministrive të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që do të vazhdojë edhe lidhur me unifikimin e teksteve të tjera shkollore.

Ministri i atëhershëm i Arsimit në Kosovë, Ramë Buja kishte thënë se e ka “besimin e palëkundur se (abetarja) do të jetojë gjatë”.
“Kur e filluam, nuk e kishim fare të lehtë as unë e as ministri Tafaj dhe as ata që në vazhdimësi u morën me këtë çështje. Madje, kishte edhe të atillë që mendonin se kjo ishte punë nuk bëhej, pra ishte e pamundur. Por, mbështetja e kryeministrave Berisha e Thaçi na bëri të mos njohim pengesa”, tha ai.
Në Kosovë përdoret ky tekst dhe një fletore pune.
Edhe në Shqipëri mësohet me këtë Abetare, por janë edhe 2 tjera të 2 shtëpive botuese të ndryshme, me autorë të ndryshëm. Mësuesit e vendosin vetë se me cilin tekst t’i mësojnë fëmijët.
Autoritetet e të dyja vendeve nuk e kanë bërë të qartë se çfarë ndryshimi do të ketë abetarja e re dhe se a do të hiqen nga tregu abetaret ekzistuese.
Ministrja e Arsimit e Shqipërisë Evis Kushi para 2 ditësh njoftoi se abetarja e përbashkët Shqipëri- Kosovë do të futet në qarkullim vitin e ardhshëm, pasi një komision Shqipëri-Kosovë të ketë përzgjedhur tekstin fitues.
“Vitin e ardhshëm, për shpalljen e 110 vjetorit të pavarësisë, ne t’i dhurojmë vogëlushëve si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, një abetare të re të përbashkët”, tha Kushi në aktivitetin “Një gjuhë, një Abetare”.

Shpërndaje në: