Bojkoti në futbollin shqiptar vazhdon edhe më tutje

Periskopi.com Sporti

Startoi me batuta për fushën e stadiumit “Air Albania” duke pritur ardhjen e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ndërsa më pas, kur u ulën në tavolinë, shfaqën vendosmëri për të vazhduar bojkotin, por në mes ka edhe një skenar ekstrem.

Mbledhja e radhës e Ligës Profesioniste nuk ka nxjerrë “tym të bardhë”, duke tejkaluar ndoshta edhe të gjitha parashikimet e atyre që janë mbledhur për këtë çështje që prej muajit gusht.

Burime të “Panorama Sport” tregojnë se edhe këtë herë drejtuesit e klubeve, pasi kanë dëgjuar presidentin Duka për premtimin e bërë nga kryeministri Rama, sërish kanë rënë dakord që të marrin kohë, pasi nuk besojnë ende se ka diçka të sigurt. Me “humbjen në xhep”, tashmë Liga Profesioniste pret vepra nga vetë Rama. Presidenti i Ligës, Edvin Libohova, i sqaroi klubet për takimin e fundit në Ministrinë e Financave dhe disa detaje lidhur me atë që ndan palët ligjin e sponsorizimit.

Më pas, Duka iu foli për takimin me kryeministrin. “Më premtoi që do të ketë zgjidhje të shpejtë dhe unë besoj se kështu do të ndodhë. Sidoqoftë, nuk marr përsipër të them që pas kësaj fjale të dhënë, ju menjëherë të vendosni për fillimin e kampionatit. Kjo është një çështje që ju përket vetëm juve…”, mësohet të ketë thënë Duka gjatë mbledhjes së djeshme. Edhe pse kishte ndonjë drejtues klubi që gjykonte se kampionati duhet të startonte këtë javë, duke besuar totalisht atë që është thënë në takimin Duka-Rama, sërish u vendos që të kishte unitet për një çështje madhore që kërkon garanci të plotë.

Pra, të pritet edhe pak ditë nëse do të ketë reagim konkret, e më pas të vendoset. Dhe nëse qeveria përmes kryeministrit jep dritën jeshile, në diskutimet që u bënë dje, Liga ra dakord që kampionati të nisë fundjavën e ardhshme, që do të thotë mes datës 6-7 nëntor. Por cili është rasti ekstrem? “Panorama Sport” mëson se mes drejtuesve të klubeve dhe FSHF-së është diskutuar varianti që nëse qeveria nuk plotëson ato pika që kërkohen prej kohësh, atëherë kampionati të
nisë një herë e mirë në muajin janar.

Por, me një vendim që kërkon ndërhyrjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, sezoni 2020-2021 në Superiore do të kishte kampionat me vetëm dy faza (18 javë) nga janari deri në maj dhe gjithashtu ndeshje teke në dy turet e para të Kupës. Do të ishte vërtet një skenar i guximshëm, që mund të fuste në një rrugë të tmerrshme futbollin. “Ne të humbur jemi, kështu që kjo është një luftë që e fitojmë ose falimentojmë”, kjo është ideja e klubeve.

Shpërndaje në: