Boksieri shqiptar ndihmon Anthony Joshuan të përgatitet për rimeçin ndaj Usykut

Periskopi.com Sporti

Boksieri shqiptar, Agron Smakiqi, ndodhet në kampin stërvitor të boksierit të njohur, Anthony Joshua.

Boksieri britanik po përgatitet për rimeçin me ukrainasin, Oleksandr Usyk, që do të zhvillohet më 20 gusht të këtij viti.

Dhe, është Smakiqi që po luan një nga rolet kryesore në përgatitjet e Joshuas.

“Unë bëj sparing me Joshuan. Të martën bëmë dy raunde nga gjithsej gjashtë dhe të premten gjashtë raunde nga gjithsej tetë”, tha boksieri nga Kosova për mediat kroate.

Tutje, 32-vjeçari me nënshtetësi të Kroacisë tha se nga kampi Joshuas janë shumë të kënaqur me të.

“Ata janë shumë të kënaqur me mua dhe unë u bëra partneri i tij kryesor në sparring”, shtoi Smakiqi.

Boksieri i peshave të rënda gjithashtu foli edhe rreth karrierës së tij, teksa tha se dy kundërshtarë refuzuan të përballen me të.

“Duhej të boksoja me Jarrel Millerin, por ai dhe trajneri i tij refuzuan. Pas kësaj mora një ofertë nga Matchroom për të boksuar kundër Fabio Wardley, por ai refuzoi luftën. Kam një ndeshje të planifikuar më 15 korrik, kundër një braziliani. Kundërshtari nuk është diçka, por është e rëndësishme për të qëndruar aktiv dhe të presim ndeshje më të forta”, deklaroi Agron Smakiqi.