Boletini: Rrezikojmë të humbim shuma të mëdha në Gjykatë

Boletini: Rrezikojmë të humbim shuma të mëdha në Gjykatë

Rreth 1.6 milion euro llogaritet t’i ketë borxhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK). Krahas këtij borxhi, mediumi publik rrezikon të humbasë para edhe në Gjykata, shkaku i ndërprerjes së kontratave në të kaluarën.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

“RTK rrezikohet goxha shumë. Në kuadër të keq menaxhimeve në RTK, kanë ndodhur shkëputje të kontratave. Ne rrezikojmë shuma të mëdha. Çështjet përmbarimore është një shqetësim i tashëm, rrezikojmë me na i blloku llogaritë se RTK i ka trashëguar 1.6 milionë euro borxhe nga vitet paraprake”, tha Boletini.

Boletini, tha se e kanë dorëzuar raportin, ndonëse sipas tij, nuk kanë qenë në bord.

“Është marrë vendim që RTK-ja të mos blejë lajme nga agjencitë e lajmeve. Kjo ka qenë e çuditshme, pasi RTK-ja me 1.000 punëtorë, blinte lajme nga agjencitë që kanë nga 10-15 punëtorë. Kontratën e kemi deri në gusht, por kemi eliminuar 90 për qind pranimin e tyre. Kemi ndaluar blerjen programeve informative”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se punëtorët kanë filluar të dalin në punë, duke lënë të kuptohet se më parë kjo nuk ndodhte me të gjithë.

“Kemi mundësuar liri editoriale në RTK”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se Prokuroria është duke u marrë me një mori rastesh që kanë ndodhur në RTK ndër vite, porse ka shtuar se nuk mund të japë më shumë informacione, pasi procesi është në fazën fillestare.

“E gjithë skena programore do të jetë prodhim i RTK-së. Nuk ka mundësi që bordi të kërkojë favore nga menaxhmeneti. Po e them publikisht. Është standard i ri i vendosur nga ne. Ne kemi parë në RTK të punësuara vajza të tezes e familjarë të tjerë. Nuk do të ndikohemi nga asnjë presion i brendshëm apo i jashtëm. Ridvan Berisha prej kafes e ka sjellë njeriun me dhënë emision në RTK. Rasti është në gjykatë. Është e tmerrshme me pa atë emision”, tha ai.

Deputeti Besim Muzaqi ka pyetur se kur do të ketë auditiim për RTK-në.

“Kemi marrë një garancë për një auditim profesional. Jemi duke i pritur edhe raportet nga menaxhmenti”, ka thënë Boletini.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se 450 mijë euro ka qenë dëmi i shkaktuar nga kompania e pastrimit, e cila ishte kontraktuar nga televizioni publik.

“Pronari i kompanisë së kontraktuar më nuk i ka këto para. Por e ka një shtëpi dhe do t’i merret nga institucionet e drejtësisë. Megjithatë dëmi nuk mund të arrihet”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar që të ndryshohet formati i raportimit, duke shtuar se do të votojë kundër këtij raporti.

Shpërndaje në: