Bombardime, tentim-vrasje, djegie, sulme terroriste: Historia e dhunshme mbi Capitolin amerikan

Bombardime, tentim-vrasje, djegie, sulme terroriste: Historia e dhunshme mbi Capitolin amerikan

Ndërtesa e Capitolit në ShBA ka parë skena bombardimesh, një tentim-vrasje të presidentit dhe demonstrata të panumërta në historinë e saj më shumë se 200 vjeçare.

Për herë të parë, këtë të mërkure, ishte vendi i një rebelimi të armatosur që u nxit nga presidenti në detyrë.

Ndërtesa është relativisht e qasshme për publikun. Ajo strehon dy trupat legjislativ të ShBA-ve, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, por çdokush mund të futet brenda pas një skanimi të sigurisë në qendrën e vizitorëve.

Zyrat e kongresit janë të frekuentuara me protestues dhe njerëz tjerë. Me pak planifikim, njerëzit mund ta ndërpresin një seancë dëgjimore, megjithëse ata shpejt zmbrapsen nga policia e Capitolit, përkthen Periskopi.

Këto skena paqësore janë një kontrast i ashpër me atë që ndodhi të mërkurën, kur një bandë mbështetësish të Trumpit i kaluan rrethojat dhe u përleshën me policinë për të hyrë në dhomat legjislative dhe në zyrat e kongresit. Një grua u raportua e qëlluar dhe e vrarë, njerëzit që punojnë brenda u evakuuan me gazmaska, dhe rebelët bllokuan muret e ndërtesës.

Prej 1814-s kjo ndërtesë nuk është thyer.

Në atë kohë të largët, kjo ndodhi prej trupave britanike që i vunë zjarrin ndërtesës gjatë një sulmi më të gjerë në Washington në luftën e 1812-s. Banorët e qytetit ishin të ndërgjegjshëm se britanikët po afroheshin dhe shumica kishin ikur.

Capitoli kishte qenë nën renovime në atë kohë, dhe ndërsa një pjesë e konsiderueshme u shkatërrua, ai u ndërtua me materiale që i rezistojnë zjarrit dhe që lejojnë prezervimin e eksterierit dhe shumë dhomave të brendshme. Megjithatë, zjarri është mjaftueshëm ngulmues sa të djeg dokumente, e të shkatërrojë statuja.

Përgjatë 200 viteve, të tjera sulme të dhunshme dhe bombardime kanë ndodhur në Capitolin e ShBA-ve.

Në një varrim në janarin e 1835-s, një piktor i papunë, Richard Lawerence, provoi ta vriste presidentin e atëhershëm Andrew Jackson.

Gjatë luftës së parë botërore, një profesor me emrin Eric Muenter e montoi një bombë në dhomën e pritjes së Senatit. Për fat të mirë nuk kishte pasur dëme në njerëz pasi bomba kishte shpërthyer në mesnatë. Ai kishte vrarë gruan e tij vite para bombardimit të Senatit dhe më vonë ishte arrestuar pasi kishte provuar të vriste bankierin JP Morgan.

Në vitin 1954, katër separatistë të armatosur puerto-rikanë hynë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe qëlluan pa dallim, duke i plagosur pesë vetë.

Në marsin e vitit 1971, e majta radikale “Weather Underground” bombardoi Capitolin në protestë kundër aksioneve ushtarake në Laos, duke shkaktuar dëme qindra-mijëra dollarëshe, por që nuk rezultuan në ndonjë vdekje.

Në nëntorin e 1983-s, një bombë u vendos si protestë e përpjekjeve ushtarake të ShBA-ve në Granadë dhe Liban. Po ashtu eksplodoi por pa shkaktuar të plagosur apo të vdekur. /Periskopi

Shpërndaje në: