Borrell: Shpresoj që Kurti e Vuçiq të takohen deri në verë

Borrell: Shpresoj që Kurti e Vuçiq të takohen deri në verë

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi në një takim sot në Bruksel, duke arritur në përfundimin se është e nevojshme të krijohet një “atmosferë më e mirë” në bisedime, ka thënë ministri i Jashtëm i BE-së, Josep Borrell.

Ai ka thënë se shpreson se para verës do të mund të mbahet një takim tjetër në nivelin më të lartë politik në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Ne kemi nevojë për angazhim konstruktiv dhe progres të shpejtë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të gjithë janë dakord për këtë, por kur ulen bashkë, e kanë problem të përparojnë. Duhet të ndërtojmë besim”, tha Borrell.

“Shpresoj se para verës do të mund të mbajmë një takim tjetër në nivelin më të lartë politik në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë”, ka shtuar ai.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë, pas një takimi në Bruksel, ku morën pjesë edhe kryediplomatët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Për mua është e qartë, si përfaqësues i lartë dhe për kolegët e mi, se të mbash lidhje të ngushta me regjimin e [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit nuk është më në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE. Këto të dy gjëra më nuk shkojnë në të njëjtën kohë”, tha Borrell.

Borrell, pas në Bruksel, tha se neutraliteti sot karshi pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, është “koncept i gabuar”.

“Të jesh neutral sot në lidhje me luftën në Ukrainë është një koncept i gabuar. Një shtet pushtoi një shtet tjetër dhe vendosja e tyre në një thes nuk bën dallimin midis sulmuesit dhe të sulmuarit”, tha Borrell.

Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka ndjekur politikën e BE-së për të sanksionuar Rusinë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. /Periskopi/

Shpërndaje në: