Borrell: Të ulen menjëherë tensionet në veri, dhe të respektohen plotësisht obligimet e dala nga dialogu

Periskopi.com Lajme

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga Qeveria e Kosovës të hënën.

Përmes një deklarate, zyra e Borrell ka kërkuar shmangjen e çfarëdo lloj provokimi të mundshëm pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

“Bashkimi Evropian bën thirrje për ulje menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës. Çdo provokim ose veprim i njëanshëm duhet të shmanget pasi që ato do të shkonin direkt kundër interesave të njerëzve në rajon”, thuhet në njoftim.

Më tej, theksohet se Prishtina dhe Beogradi duhet të zbatojnë secilin obligim të nxjerrë nga dialogu i Brukselit.

“Ne i bëjmë thirrje lidershipeve në Beograd dhe Prishtinë të marrin pozicione të përgjegjshme dhe të punojnë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për shmangjen e ndonjë përshkallëzimi të mëtejshëm, për të rivendosur një atmosferë paqësore dhe për të punuar për një zgjidhje të zbatueshme”, thuhet në njoftim.

Borell konsideron se është në interesin e të gjithëve të kërkohet një rrugë përpara që mundëson lirinë e lëvizjes dhe që përmirëson jetën e përditshme të njerëzve.

“BE -ja dhe Shtetet Anëtare i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre të dala nga dialogu pa asnjë vonesë të mëtejshme”, ka thënë Borrell.

Ndryshe, deri më tani qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë.

Kurti ka thënë më 20 shtator se Prishtina zyrtare nuk ka dashur të vendosë masa reciprociteti, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër, për shkak të qëndrimeve të Beogradit zyrtar.

Ndërkaq Vuçiq ka deklaruar se Prishtina refuzon zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, kryesisht atyre që i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Megjithatë së fundi ka shprehur gaditshmërinë të fliste me kryeministrin Kurti në rast se do të largohet njësia ROSU nga Jarinjë dhe Bërnjak.

“Ne thamë, nuk ka problem, tërhiqni njësitë ROSU dhe do të flasim. Çfarë veprimesh ndërmori Serbia? A e dërgoi ajo ushtrinë, policinë? Jo. Por nuk ja vlen, kur fillon të gënjesh atëherë është kështu. Këtë herë, Serbia nuk bëri asgjë fare. Një Serbi e fortë vlen për të gjithë. Ata duan që Serbia t’i njohë ata. Unë nuk do të pajtohem me atë që ata duan. E përsëris, kthejeni gjithçka në atë që ishte para 20 shtatorit dhe pastaj mund të flasim. Thirrni NATO-n, telefononi kë të doni, por nuk do të merrni pëlqimin e Serbisë për ta marrë atë”, shtoi presidenti, duke theksuar se interesi i tyre është që Kosova të jetë e pavarur.

Shpërndaje në: