BQK: Po rritet kërkesa e popullit për 1 centa e 2 centa

Periskopi.com Lajme

Banka Qendrore e Kosovës përgjatë këtij viti ka hedhur në treg 5 milionë ‘para të kuqe’, në mënyrë që të furnizohen operatorët ekonomik me centë. Por, qytetarët për shkak të vlerës së vogël që kanë këto monedha janë të prirur të mos i përdorin. Në krejt këtë, po fitojnë operatorët ekonomik.

“Nuk kam me t’i kthy 2 centë”. Disa herë në ditë shitësit ua thonë këtë fjali konsumatorëve e që në fund të ditës në arkat e tyre mblidhen disa mijëra euro.

Por, a ka mungesë të parave të imëta, 1, 2 dhe 5 centë në tregun e Kosovës.

Banka Qendre e Kosovës – BQK, furnizimin me monedha të tilla e kryen në mënyrë indirekte përmes bankave komerciale, të cilat janë drejtpërdrejt të ndërlidhura me ndërmarrjet, bizneset dhe qytetarët.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së ka thënë për lajmi.net se vetëm gjatë periudhës 1 janar deri më 25 gusht të vitit 2021, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka furnizuar bankat komerciale me mbi 5 milionë copë monedha euro të të gjitha denominimeve (prej të cilave 66.25% apo mbi 3.3 milionë copë kanë qenë të denominimeve 5 cent, 2 cent dhe 1 cent).

Ahmeti thotë se kërkesa e bankave komerciale për vëllimin (numrin e copëve) e monedhave gjatë vitit 2021 ka tendencë të rritjes, meqë shuma e furnizuar gjatë periudhës 1 janar deri 25 gusht të vitit 2021, pothuajse ka arritur 94% të të gjithë furnizimit me monedha të furnizuara gjatë vitit 2020.

Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në ueb –faqen e vetë zyrtare ka të publikuar kampanjën “Kërko centin tënd”, që inkurajon qytetarët që të marrin të kërkojë  kusurin nga operatori ekonomik, në të kundërtën të ankohen në inspektorat.

Në ministrinë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë bërë të ditur për lajmi.net se kthimi i kusurit përfshirë edhe monedhat e imëta, është obligim i shitësit i përcaktuar me nenin 56 të Ligjit nr. 06/L-034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Inspektorati i tregut gjatë vitit 2021, ka pranuar 846 ankesa nga konsumatorët, ndër të to edhe ankesa lidhur me mos kthimin e kusurit kryesisht monedha të imëta nga ana e Operatorëve Ekonomik. Në rastet kur inspektorati i tregut konstaton që shitësi nuk i kthen kusurin konsumatorit, të njëjtët ndërmarrin veprime dhe shqiptojnë gjobë në pajtim me dispozitat e Ligjit nr.06/L-034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, ka bërë të ditur zyra për informim e MINT.

Ka shumë raste kur edhe qytetarët për shkak të vlerës së vogël që kanë këto monedha janë të prirur të mos i marrin fare si kusur

Shpërndaje në: