Bregu: S’justifikohet pse sot Kosova s’ka mundësi të udhëtojë lirshëm në Evropë

Bregu: S’justifikohet pse sot Kosova s’ka mundësi të udhëtojë lirshëm në Evropë

Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ka thënë që nuk ka arsye se përse Kosovës t’i mohohet liberalizimi i vizave.

“Nuk gjej arsye aty ku nuk kam asnjë element, me të cilin të justifikoj pse sot në vitin 2022, Kosova e cila është pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe për të cilën Bashkimi Evropian e ka përcaktuar si prioritet gjeostrategjik, të mos ketë mundësi të udhëtojë lirshëm në Evropë”, ka thënë Bregu në një intervistë në Klan Kosova.

“Nuk ka arsye as në rritjen e numrit të azilkërkuesve dhe nuk ka arsye pse Kosova duhet të jetë ende peng dhe të mos ketë liberalizim të vizave”, theksoi Bregu.

Tutje ajo tha se secili nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasë zhgënjimet e veta si Kosova për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Vendimi ose mosvendimi i djeshëm, mund të ketë nevojë për interpretime nëse kishte mosarritje për të marrë një vendim ndaj pjesës dhe politikës së anëtarësimit të Bashkimit Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ishte tronditës dhe frustues për të gjithë ata që kanë punuar, që njohin procesin e integrimit, por edhe që mendojnë që edhe kur ka shfaqje krizash mund të ketë një moment që të gjithë kthjellohen dhe e kuptojnë që kosto e dëmit të krijuar është më e madhe se sa do të ishte marrja e një vendimi pozitiv, për të vazhduar dhe për të mos ngelur në vend me procesin e zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Bregu.

Shpërndaje në: